Politikë

“Flet me gjuhën e Dumanit”/ Meta i përgjigjet Kryemadhit: Mos ma përmend më emrin, kur të komandon halli bëhesh ‘Zeqine’ e SPAK

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur ish bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi e cila nga SPAK deklaroi se Meta flet me gjuhën e Dumanit.

Në një reagim në rrjete sociale, Meta u shpreh ashpër ndaj ish bashkëshortes, teksa e quajti ‘Zeqine’ e SPAK.

Meta tha se iu kishte kërkuar fëmijëve që ti thonin Kryemadhit të mos ja përmendte më emrin, por sipas tij ajo po e përdor për interesa të caktuara.

Kreu i PL, mohoi çdo akuzë për përfshirje në çështje penale dhe akuzoi SPAK për manipulim dhe izolim politik. Meta theksoi se nuk beson në vërtetësinë e pretendimeve për kartat bankare, duke i cilësuar si mashtrime për të justifikuar hetimet ndaj tij.

“Një përgjigje për Zeqinenë e SPAK-ut. Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të. Por, kur të komandon halli bëhesh “Zeqine” e SPAK-ut.

Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta banakre të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni.

Ilir Meta dhe Tedi Blushi iu janë përgjigjur këtyre shpifjeve monstruese që filluan me rrëmbimin tim monstruoz, me hetimin monstruoz dhe me izolimin tejet monstruoz, që nuk ka lidhje me asnjë fakt dhe provë penale për Ilir Metën.

Përkundrazi. faktet dhe provat janë fshehur deri tani për të mbuluar personat që kanë shkelur ligjet apo që kanë patur dijeni për shkeljet e ligjeve apo që janë vërtetuar si dëshmitarë të rremë, që dihet publikisht që ishin në listat e kandidatëve për deputet të “Rilindjes” dhe kanë punuar për “Rilindjen” me material shtrëngues.

Sigurisht edhe unë nuk dua t’i besoj, që ato që ka shkruar Altin Dumani për kartat e saj bankare dhe të Adrian Shatkut janë të vërteta, por ata i shkruajnë për të justifikuar izolimin kriminal të Ilir Metës si lider i Partisë së Lirisë. Se po të ishin të vërteta, sigurisht që SPAK nuk do i jepte leje “Zeqinesë” të shkonte të SHBA në janar të këtij viti, ku jeton Adrian Shatku dhe janë kompanitë e lobimit që ia ka sjellë në Shqipëri, të cilat po i heton SPAK prej 3 vitesh”, shkruan Meta.