Në vigjilje të krishtlindjeve te vitit 2025, stafi i Durana Tech Park me administratoren Florensa Kovaçi, Drejtorin e Start up-ve Arjan Ymerin, Ministren e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës Delina Ibrahimaj dhe me mbështetjen e EIT Community do të organizonin “Meet up Durana”.
Eventi kishte si pjesëmarrës edhe disa nga rezidentët e parkut teknologjik “Durana Tech Park”, por detaji më i rëndësishëm ishte prezenca e Arjan Ymerit dhe Florensa Kovaçit pasi për shkak të raportit për Start Up-et kemi një konflikt të mundshëm interesi.
Në fakt, bashkëpunimi e ka zanafillën me startup-et që duhet të shkojnë për sipërmarrës të rinj, por që është bërë traditë të shkojnë gjithmonë e më shpesh te familjarët apo personat e lidhur me zyrtarët e lartë.
Florensa Kovaçi ka punuar si Drejtoreshë e Përgjithshme në Kryeministri dhe pas hapjes së konkursit për administrimin e “Durana Tech Park” është zgjedhur si administratore e këtij projekti së bashku me Gjergji Tahon. Paraprakisht, në korrik 2023, Nensi Kovaçi person i lidhur me Florensa Kovaçin do të themelonte një biznes si person fizik për shërbime konsulence.
Një vit më pas, në korrik 2024 do të shtonte te objekti i veprimtarisë edhe dhënien e makinave me qira. Në prill 2025, disa muaj pas emërimit të znj. Florensa Kovaçi si administratore e “Durana Tech Park”, agjencia e startup-ve në drejtimin e Arjan Ymerit dhe në varësi të ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Brahimaj, do të shpallej lista me 83 Startup-et fituese të “Thirrjes për masa mbështetëse 2025”.
Burime konfidenciale nga Ministria deklaruan për “Vetting” se njëri nga personat që ka përfituar “Startup”, me vlerë 4 milionë lekë është bashkëshorti i Florensa Kovaçit, Nensi Kovaçi. Ky i fundit do e përfitonte startup-in për shërbime biznesi me anë të biznesit si person fizik.
Në lidhje me këtë rast, “Vetting” kontaktoi Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, si edhe Drejtorinë e Startup-eve. Deri në publikimin e këtij materiali nuk patëm asnjë reagim nga institucionet nëse kishim konflikt interesi dhe se si ishte bërë vlerësimi për këtë start up.