Bota

Francë, gjendet trupi i 15-vjeçares së zhdukur një vit më parë, falë të dhënave GPS nga makina e vra*sësit

Trupi i një adoleshenteje franceze, e cila u zhduk 13 muaj më parë, është gjetur pas një kërkimi të gjatë policor, 500 kilometra larg vendit ku u pa e gjallë për herë të fundit në një zonë pyjore të Francës.

Policia ka qenë në kërkim të 15-vjeçares – e cilësuar vetëm si ‘ Lina ’ në mediat franceze – që nga zhdukja e saj misterioze më 23 shtator të vitit të kaluar. Policia kishte mbledhur mijëra raporte dhe kishte kryer qindra intervista, ndërsa kishin hetuar edhe mijëra automjete që mund të kishin lidhje me zhdukjen e saj.

Por ishin të dhënat GPS të nxjerra nga makina e të dyshuarit kryesor për vrasjen e saj që çuan në zbulimin e saj të mërkurën, më 16 tetor të këtij viti, në një zonë pyjore në rajonin qendror francez të Nièvres, rreth 500 km nga vendi ku u zhduk në Alsace në lindje të Francës.

Testimi i ADN-së lejoi që trupi të identifikohej, tha Alexandre Sevrier, kryeprokurori i Strasburgut.

Sinjali i gjurmimit të smartfonit të vajzës adoleshente humbi në orën 11:22 më 23 shtator të vitit të kaluar, teksa ecte nëpër një rrugë të vogël për në stacionin e Saint-Blaise-La-Roche, një fshat me vetëm 250 banorë, për të kapur trenin për në Strasburg, ku do të takonte të dashurin e saj.

Një javë më vonë, policia nisi një hetim për një rrëmbim të dyshuar. Pas disa muajsh kërkimesh të pafrytshme, policia gjeti një makinë, një Ford Puma, e cila mësohej se ndodhej në zonë kur Lina u zhduk.

Automjeti u përdor nga i dyshuari kryesor në këtë rast, 43-vjeçari Samuel Gonin , i cili vrau veten në korrik para se të merrej në pyetje. Sipas rrjetit radiofonik francez RTL, Gonin ka lënë një letër lamtumire, ku pjesërisht shkruhet: Kam humbur nderin, dinjitetin, humanizmin tim, duhet të iki. Nuk dita si ta kontrolloja veten.

Nga sa dihet për 43-vjeçarin, ai kishte qenë disa herë në një institucion psikiatrik dhe ishte dënuar me 15 muaj me kusht në janar 2024 për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës dhe vjedhje.

Analiza e të dhënave të vendndodhjes së makinës së tij i lejoi policisë të gjurmonte disa ndalesa që ai kishte bërë, duke përfshirë një të bërë një ditë pas zhdukjes së Linës, e cila përfundimisht çoi në zbulimin e trupit të saj.

RTL, duke cituar prokurorin, raportoi se trupi i saj u gjet i zhytur në një përrua nën një argjinaturë.

Ekzaminimet pas vdekjes, përfshirë autopsinë, do të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Ish-drejtori i laboratorit të departamentit të mjekësisë ligjore të policisë kombëtare franceze tha për RTL se “edhe nëse trupi mund të jetë shumë i degraduar, ai do të japë disa përgjigje”.