Partizani përgatitet për ndeshjen e të mërkurës ndaj Elbasanit, në kuadër të çerekfinales së Kupës. Të kuqtë, kanë mbyllur seancën e radhës stërvitore teksa fryma e grupit te kryeqytetasit është mjaft pozitive. Një lajm mjaft pozitiv nga seanca e fundit stërvitore është bashkimi me grupin i mbrojtësit Marcelino Preka.
Mbrojtësi mungon prej një kohe të gjatë, e për këtë arsye vështirë se Preka do të jetë pjesë e dy ndeshjeve të ardhshme me Elbasanin dhe Tiranën në Kupë. Megjithatë, sërish rikthimi i tij shton më shumë alternativat dhe centimetrat në repartin difensiv.
Duke qenë se në horizont është edhe ndeshja derbi ndaj Tiranës të dielën, pritet që trajneri Oltijon Kërnaja të menaxhojë energjitë dhe të bëjë disa ndryshime në organikë, por gjithnjë duke treguar kujdesin e nevojshëm në një kompeticion që për Partizanin është shndërruar në një objektiv sezonal. Të gatshëm për të startuar janë edhe kapiteni David Atanaskoski që la pas dëmtimin në brinjë, por edhe sulmuesi Xhuliano Skuka.
Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi do ta nisë nga minuta e parë apo do të rezervohet për në fundjavë, duke qenë se Paulo Buxhelaj ka qenë autor i performancave shumë të mira. Sakaq, ende jashtë mbetet Arafat Dumbia që nuk është gati dhe vijon të stërvitet vetëm për një pjesë të seancës me skuadrën duke kërkuar më shumë kohë për rikthimin në fushë.