Një garë e ethshme u zhvillua mbrëmjen e djeshme në dy televizionet kombëtare të vendit tonë, respektivisht në emisionet Top Story të Grida Dumës dhe Opinion të Blendi Fevziut.
Por, gara nuk ishte si zakonisht për audiencën e përgjithshme. Kjo garë ishte e fokusuar te vëmendja e vetëm një personi, Parashqevi Simakut, që tashme është kthyer në kryefjalë të mediave dhe portaleve shqiptare, për shkak se rastësisht u zbulua se flinte në rrugët e New Yorkut.
“Parashqevia po na ndjek tani live”, deklaroi e para Grida Duma. Më pas vijoi të bëjë një monolog për individualitetin e spikatur që Parashqevia ka treguar në jetë, për dimensionin e saj elitar, artistik dhe letrar, etj, etj, etj, etj…
Nuk vonoi dhe Blendi Fevziu, deklaroi se paralelisht me emisionin e Gridës, Parashqevia ishte ngulur para ekranit, për të parë edhe emisionin Opinion.
“Kjo është një foto në kohë reale që tregon Simakun duke ndjekur emisionin Opinion. Sapo ma sollën”, deklaroi Fevziu.