Kulturë

Gazetari i përgjigjet Astrit Çermës: Aktorit tim të preferuar, nga unë i “çorbës dhe i gëlbazave”

Gazetari i përgjigjet Astrit Çermës: Aktorit tim të preferuar, nga unë i “çorbës dhe i gëlbazave”

Nga Adrian Thano

​E lexova reagimin tuaj i dashur Astrit dhe po e them me gjithë shpirt, ndjeva një trishtim të thellë dhe një keqardhje njerëzore që vështirë ta shpjegoj me fjalë. Më vjen keq, sepse për mua ju nuk jeni thjesht një emër në Facebook. Jeni pjesë e kujtesës sonë të bukur, një aktor i “brezit të artë” që sot, fatkeqësisht, ka rënë në grackën e një lufte që nuk i takon.

Ju, por edhe të tjerë si ju, jeni sot viktimat më të pafajshme të një propagande që ushqehet me përçarje. E dhimbshme të shohësh njerëz të artit të rreshtuar nëpër llogore virtuale, duke mbrojtur me pasion verbues ata që, në një formë apo në një tjetër, janë bashkëfajtorët e lëngatës së gjatë të këtij vendi.

Është tragjike kur njerëz të mendjes nuk arrijnë të shohin përtej teatrit politik, duke mbrojtur atë që arti, në thelb, duhet ta godasë, hipokrizinë.

Ndërsa ju shaheni e grindeni për ta, ata mbeten ortakët e vërtetë të një sistemi që nuk njeh ngjyra partish, por vetëm interesa ekonomike.

Më vjen turp mua për fjalët që keni shkruar, sepse e di që ju nuk përfaqësoni atë fjalor. Ju nuk jeni “gëlbaza” apo “çorba e qelbur”. Ju jeni arti që na ka bërë të ëndërrojmë.

Por ja që propaganda bën pikërisht këtë. I merr njerëzit e mirë dhe i kthen në ushtarë të korrupsionit pa dashjen e tyre, duke i bërë të besojnë se po mbrojnë “atdheun” apo “dinjitetin”, ndërkohë që thjesht po mbrojnë rehatinë e një elite që qesh me ju pasi mbyllen kamerat.

Shkrimi im “Gjenitalistët e Diplomacisë” nuk ishte kundër jush, as kundër idhullit të radhës. Ishte një përpjekje që ne të gjithë të mos e humbim veten pas fotografive “të udhëheqësit” dhe buzëqeshjeve të rreme.

Më vjen keq që jeni katandisur në këtë gjendje, ku nga largësia e emigrimit, e vetmja lidhje me vendin tuaj është ky mllef i panevojshëm.

Ju meritoni të jeni mbi palët, meritoni të jeni zëri i arsyes, jo jehona e sharjeve të rrugës. Ju shoh në atë postim dhe nuk njoh artistin. Shoh vetëm një njeri të pashpresë që kërkon një kauzë, por ka zgjedhur atë më të gabuarën. Mbrojtjen e atyre që ju kanë detyruar të jetoni larg Shqipërisë.

Ju uroj vetëm qetësi shpirtërore. Shpresoj që një ditë t’i hapni sytë dhe të kuptoni se asnjë politikan nuk vlen sa integriteti juaj që po shpenzoni nëpër komente.

Unë do vazhdoj t’ju respektoj për atë që keni qenë, duke u lutur që ky aktori i Facebook-ut të jetë thjesht një “rol” i keq, i luajtur në një moment dobësie.