Kulturë

Gëzim Zilja: Katër vjet pa poetin Bardhyl Londo

Gëzim Zilja: Katër vjet pa poetin Bardhyl Londo – (25.12,1947- 18.02.2022)

 Këtu në Shqipërinë tonë, i harrojnë dhe i vdesin për së gjalli poetët e artistët. Kur ata largohen nga kjo botë i nderojnë e dekorojnë. Madje i përcjellin me homazhe e muzikë funebre.”

U mbushën katër vjet që s’të shohim më o Bardhyl Londo!? Gazetat dhe TV- të shkruajtën e folën të gjitha për largimin tënd nga kjo botë. Në këtë shkrim do të përsëris diçka, që ti ke thënë, por u vërtetua sërish, kur shpirti yt i bukur nuk kishte as 24 orë, që shëtiste i qetë, në lëndinat dhe mrekullitë e parajsës. Erdhëm atëherë, me shkrimtarin Lazër Stani, mikun tënd të vjetër e bëmë homazhe në sallonin e godinës së Kuvendit.

Ndenjëm pak në oborr, duke takuar miqtë e tu të shumtë, që lotonin për ty. Pamë tek-tuk qeveritarë e kuvendarë të pikëlluar, duke bërë homazhe e vendosur kurora. Sigurisht, ti i dashur Bardhi nuk shikoje gjë këtu në tokë, se parajsa është shumë lart atje në qiell, andaj pa lejen tënde do të shkruaj nja dy fjalë, që zemra s’mi mban dot e shpirti s’më del po nuk i shpreha edhe pas katër  vjetësh. Nuk do të flas për poezitë e tua. Për to është shkruar, shkruhet e do të shkruhet derisa të flitet e të botohen libra në gjuhën shqipe.

Unë do të shkruaj për atë që ti nuk më lejove atëherë, duke më thënë se: “kam shkruajtur vet, për problemin e pushimit nga puna prej Ministreshës së Kulturës Mirela Kumbaro. Asgjë. Kjo shoqëri është krejtësisht e kalbur dhe e politizuar, prandaj nuk ia vlen.” Ministresha   vetëm   pak   ditë   pas   emërimit   me   një   urdhër   të posaçëm pushoi nga puna ty, dhe shkrimtarin e mirënjohur Lazër Stani.

Unë mendoj se ia vlen, që të rithuhen e rishkruhen ca dukuri, që shoqëria shqiptare të mos urrejë e përjashtojë bijtë e vet, të mençur e të ditur për bindje politike, duke u mohuar dhe punën, jetesën, e të kuptojë se lufta kundër urrejtjes midis njëri-tjetrit, padrejtësisë e militantizmit është detyrë e përhershme qytetare. Më kujtohet se shpesh bashkë me disa miq tanë, Bujar Asqeriun, Lazër Stanin, Galip Ramadhin e Flamur Shehun, vinim te Varri i Bamit, te pallati parafabrikat në anë të rrugës, ku banoje, se ti nuk  mund të vije te “Pazari” ku takoheshim më parë. Atje në tavernën pas pallatit hidhnim dhe ndonjë gotë e bisedonim.

Kishte çfarë të përfitoje nga ai grup miqsh, sepse flisnim për letërsinë, teatrin, mjekësinë, dashurinë, politikën e çdo gjë tjetër. Të çmoja jo vetëm   urtësinë dhe mençurinë por veçanërisht se ishe i drejtpërdrejtë, me një sinqeritet çarmatosës. Në vitin 2013 ty i paharruari Bardh Londo, (doje me pak se një vit të dilje në pension) bashkë me shkrimtarin Lazër Stani, (që tashmë është në Amerikë). Ministrja Mirela Kumbaro ju pushoi nga puna sapo pushtetet u ndërruan. Të dy ishit nga ajo racë njerëzore, që jeton ndershmërisht me pagën, pa i njohur vjedhjet e hatëret. Dikur në tavolinë me thjeshtësinë që të karakterizonte, duke parë me ata sytë e tu të thellë, ku rrathët e zinj nën qepalla dalloheshin tashmë që larg, iu drejtove aktorit Bujar Asqeriu:

“Ty Bujar, kur dole në pension me që je dhe Mjeshtër i Madh, të bën ndonjë ceremoni lamtumire me këtë rast?” Bujari, hapi fort gojën, qeshi me atë zërin e tij si bubullimë, bëri pastaj një “pëëëëëëf” të stërzgjatur dhe deklaroi : “Bardhi të lutem! Na lër ta pimë rehat këtë qelqe (gotë), hë të kam vëlla! Ditën që mbusha moshën e pensionit më lajmëroi sekretarja të tërhiqja librezën dhe paga m’u pre atë ditë. Kam luajtur mbi 150 role. Në teatër kam kaluar gjithë jetën time qysh nga shkolla e mesme. Asnjë telefonatë, asnjë fjalë, kurrfarë  ceremonie, apo falënderimi. Po se mos vetëm mua! Aktorë të mëdhenjë, kanë shkuar në botën tjetër sikur të mos kishin ekzistuar fare dhe kanë lënë amanet:

Nga shtëpia, në varreza! Është çështje nderi, respekti, mirënjohjeje. Po bereqaversën! Nuk ma bënë si ty dhe Lazrit, që ju flakën nga puna!”Çudi i dashur poet i shqiptarëve, që ende lexojnë: Si nuk shkroi një gazetë tjetër qoftë dhe një gërmë, kur të pushuan nga puna, dhe tani “qajnë e lajnë” për ty?! Po këta gazetarë, pronarë gazetash e TV-ësh ishin dhe atëherë dhe ti po aq i famshëm sa sot!?

Nuk e kuptonin thua që kjo përzënie nga puna ishte një “pushkatim” për poetin, si në kohën e diktaturës. Erdhi për homazhe edhe ministresha që të largoi nga puna. Shumë  e pikëlluar dukej. E ndoqa me vëmendje gjatë gjithë kohës. Vendosi një kurorë të madhe me këmbaleca për të shprehur dhembjen e respektin për ty. Sado mundohej, të dukej e mërzitur sa kaloi kangjellat e oborrit gjithë gjallëri u tha mikeshave: ” Ç’ditë e shkëlqyer sot, plot diell. Një kafe në Dajt do të ishte mrekulli.” Bëri disa hapa para dhe u kthye: “Hë pra, thoni tani?

Nuk më rri bukur ky kostumi gri i hapur? Shkon me këtë pallto e shall kashmiri” Hypi në makinën e parkuar mbi trotuar dhe urdhëroi: Në Dajt..Mu kujtua një thënie jote ato ditë, kur mblidheshim bashkë. Vure kokën midis pëllëmbëve të duarve dhe fole tepër i trishtuar: “Këtu në Shqipërinë tonë, i harrojnë dhe i vdesin për së gjalli poetët e artistët. Kur ata largohen nga kjo botë i nderojnë e dekorojnë. Madje i përcjellin me homazhe e muzikë funebre.” Ka më shumë se tridhjetë vjet, që përsëritet kjo maskaradë o Bardhyl Londo! U përsërit edhe me ty ditën e varrimit. Këtë besoj e ke ditur edhe vetë. Ne miqtë e shokët e tu nuk do të harrojm derisa të piqemi, po qe e thënë edhe për ne, atje në parajsë, ku ti nxitove e shkove!