– Shqipëria si një nga vendet më të bukura në botë, por që drejtohet nga “politikanë të shëmtuar”
– Artisti është rebel se shikon më tej se sytë e pragmatistit dhe vërteta është e shenjtë.
– Kjo Shqipëri sot është lënë në mëshirë të fatit sa nga politika shqiptare po aq dhe nga ajo evropiane dhe superbosët evropianë.
“ Buka e duarve tona”, një tablo që i kanë bërë jehonë mediet televizive italiane, spanjolle dhe disa gazeta turke.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Skënder Kamberi lindi më 2 shkurt 1939 në Lagjen e Re të qytetit bregdetar të Vlorës, ku mori edhe mësimet e para në Shkollën 7 Vjeçare “Naim Frashëri”. Gjatë viteve 1955-1960 kreu Liceun Artistik ”Jordan Misja”. Mësuesit e tij të parë të tij ishin piktorët më të shquar të kohës: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Kel Kodheli dhe Guri Madhi, etj. Tema e diplomës së maturës së tij ishte ”Punëtorët e ndërtimit”, vaj mbi kanavacë, (110 x 90 cm.). Bashkënxënës të Skënder Kamberit gjatë viteve të Liceut Artistik ishin: Llazar Myzeqari, Andon Lakuriqi, Qazim Arifi, Ferdinand Paci, Kujtim Buza, Liljana Çefa, Bajram Mata. Gjatë viteve 1960-1965 në vazhdim kreu studimet në Institutin e Arteve, në Tiranë. Pedagogët kryesorë ishin: Danish Jukniu dhe Vilson Kilica. Tema e diplomës së maturës ishte “Leximi i shtypit”. Bashkë studentë të kursit ishin piktorët: Naxhi Bakalli, Sotir Capo, Gavril Priftuli, Fatmir Haxhiu. Në vitin e dytë të studimeve në kursin e tyre ju bashkëngjitën dhe studentët që i kishin ndërprerë studimet në Leningrad (ish BRSS) dhe Pragë (ish Çekosllovaki): Llambi Blido, Kujtim Buza, Andon Lakuriqi e Bajram Mata, dhe Llazar Myzeqari. Skënder Kamberi u afirmua si një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX, si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare edhe pse i kufizuar dhe brenda rregullave të rrepta të “realizmit socialist”. Me rastin e 86-vjetorit të lindjes po shkëpus disa pjesë nga shumë intervista që kam zhvilluar me të…
Në pikturat e ekspozitës “Shqipëria nudo” kam vërejtur disa gjymtyrë të pikturuara me euro, dollarë?
Saktë, e kemi diskutuar dhe atë kohë…Është një refleks i zemrës time, mendjes time, pra i këtij realiteti, që unë, atë pikturë që kam realizuar në vitin 1969, kur ishte një përvjetor i Kongresit të Lushnjës, tashmë po e ri ideoj në një këndvështrim tjetër. Atëherë ideja e kësaj pikture ishte fitorja e Kongresit të Lushnjes. Ishte një pikturë për këtë ditë historike, ku ne kërkonin të na ndanin mes Serbisë, Italisë dhe Greqisë. Por sipas Kongresit Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Në vitet 1912 -1913 ajo u njoh nga shumë shtete të botës. Presidenti i SHBA-ve, Uillsoni deklaroi që Shqipëria është shtet i formuar dhe tashmë ajo ka marrë njohjen dhe territorin e saj. Kjo tashmë s’mund të kthehet mbrapsht. Prandaj ato forca që kanë pushtuar Shqipërinë të kthehen me ushtritë në vendet e tyre. Kjo Shqipëri ishte menduar të copëtohej nga fuqitë kapitaliste të kohës. Edhe sot po këta shtete të veshur me papion, me luks, me makina superluksoze, vijnë në Shqipëri kapardisur hapën dhe motelet e tipit modern (që Hygoi i ka dënuar motelet që në atë kohë, si vend për prostitucioni). Hygoi ishte njeri i paqes dhe njeriu i paqes lufton të shëmtuarën, të keqen. Edhe unë jam njeriu i paqes. Kjo Shqipëri sot është lënë në mëshirë të fatit sa nga politika shqiptare po aq dhe nga ajo evropiane dhe superbosët evropianë. Ndaj shqiptarët marrin rrugët e mërgimit. Një proverb rus thotë “Aty ku s’je, mendon se je më mirë”. Por po ta provosh s’është ashtu. Emigracioni është i dhimbshëm. E ke dëgjuar këngën e emigrantit të Spanjës? Të ngjeth mishtë. Të bën të ngelesh pa mend. Emigranti, emigranti… Ne nuk duhet të kënaqemi që na dërgojnë 100 euro nga jashtë emigrantët, vëllezërit tanë. Nuk është ekonomi kjo…
Si e zhveshi politika e sotme Shqipërinë nudo?
Nga latinishtja ministër do të thotë shërbëtor. Pra ata janë shërbëtorë të popullit. Fatkeqësisht nuk është kështu. Ata janë pronarët e popullit. Prandaj Shqipëria tashmë në sytë tanë dhe të të huajve është zhveshur nudo. Këtë dua të tregoj me këtë ekspozitë. Shqipëria si një nga vendet më të bukura në botë, por që drejtohet nga politikanë të shëmtuar. Dje kritikoja mënyrën e drejtimit të ekonomisë komuniste dhe më thoshin rebel. Edhe sot e njëjta gjë. Drejtimi i ekonomisë është false, iluzive, donkishotiane. Rebel, politikanët quajnë ata që nuk u shkojnë pas ujërave, por kritikojnë drejtimin pa principe të shtetit duke parë në radhë të parë interesin e vet. Kështu është quajtur edhe Bajroni edhe Francisko Goja. Turgenjevi, Rebrandi, të cilit i grisën një pikturë pasi një pjesë të aristokracisë i bëri siç ishin të shëmtuar (në shpirt). Artisti është rebel se shikon më tej se sytë e pragmatistit. E vërteta është e shenjtë.
Intelektualët thonë se në Evropë shkohet me art, kulturë, nëpërmjet librit, po pse në Shqipëri po heshtet ndaj tyre?
Artistët shqiptarë si Inva Mula, Papavrami, Ermonela, balerinët shqiptarë, shkrimtarët e shquar shqiptarë, kompozitorët shqiptar, futbollistët, instrumentistët, këngëtarët operistik shqiptarë kanë vite që na kanë çuar në Evropë. Por këtë s’duan ta shohin politikanët tanë, se nuk ju intereson. Në radhë të parë nuk ju ka interesuar për interesat e tyre ekonomike. Shkrimtarët tanë njihen deri aty ku nuk njihet Shqipëria, ku asnjë emër politikani shqiptar nuk përmendet. Videlman një studiues i historisë së artit gjerman ka thënë: “ Ballkani është vendi më i predispozuar për të nxjerrë talente në çdo fushë të artit. Pasi kemi klimën, diellin, natyrën, ajrin, lumenjtë, luginat, tokën dhe nëntokën e pasur. Kemi pasur fabrika, uzina, dhe sipas ekonomistëve botërorë në prag të ndërrimit të dy sistemeve Shqipëria ka pasur 60 miliardë dollarë pasuri. Ku ka vajtur kjo pasuri?
Të flasim pak për galerinë e Arteve…Kam shkuar në shumë ekspozita të piktorëve dhe kam vënë re që të gjitha ato janë zhvilluar në Muzeun Kombëtar dhe jo në Galerinë e Arteve, përse?
Përse? Ti e di më mirë se unë. Përgjigja është e thjeshtë. Galeria e Arteve është kthyer në një pronë private personale, madje është oligarke. Ajo është bërë një bunker ku s’ka gjallëri, s’ka lëvizje. Galeria e Arteve duhet të gjallojë ditë natë, duhet të ketë mijëra njerëz në ditë, por aty sheh dyer të mbyllura, pasi ka njerëz që interesohen vetëm për artin e tyre, dhe jo për artin kombëtar.
Në këndvështrimin tuaj diktatura komuniste ka bërë më shumë për artin dhe kulturën?
Kjo përgjigje do shumë kohë. Nuk bëhet me një të shtënë. Gjërat merren me radhë. Ai regjim i bëri këto objekte, si Galerinë, Muzeun Kombëtar, zhduku analfabetizmin, bëri sportin masiv, bëri shtëpi kulture në çdo fshat, etj. Po sot çfarë është bërë për artin dhe kulturën? Ekonomia dhe kultura janë shtyllat e një shteti. Sot ne nuk kemi as kulturë, as ekonomi. Shihni vetë mos më pyesni mua. Politikanët flenë në vila luksoze, artistët dhe shkrimtarët s’kanë bukë të hanë. Kulturën shqiptare e mbajnë të gjallë vetëm individët, krijuesit, që rendin në botë. Shumë të tjerë bëjnë art imitues, jo të gjallë, pa frymëmarrje. Atëherë kishte dhe shkrimtarë dhe artistë të dobët, servilë, por ata aty ngelën në batak, ndërsa shkrimtarët e vërtetë bënë epokë, bënë emër që e lartësuan emrin e Shqipërisë.