Sport

Gjashtë “debutues” për Tiranën në derbi, më shumë se një ndeshje kampionati ndaj Partizanit

Derbi me Partizanin do të ketë një shije të veçantë për disa prej futbollistëve të Tiranës. Plot gjashtë lojtarë të skuadrës bardheblu do ta përjetojnë për herë të parë nga brenda atmosferën e zjarrtë të përballjes më të madhe të futbollit shqiptar.

Duke përjashtuar Fredi Alvarez, i cili mungon për arsye objektive, pesë emra të tjerë janë gati për debutimin e tyre në këtë duel: Patrik Mysloviç, Johan Kortez, Diar Halili, Anton Kresiç dhe Rijad Kobiljar. Për Mysloviç dhe Kobiljar, që pritet të kenë rol të rëndësishëm në mesfushë, derbi do të jetë një provë karakteri. Intensiteti, presioni dhe ritmi i lartë janë elementë që shpesh vendosin fatin e kësaj sfide, ndaj eksperienca e parë kërkon qetësi dhe personalitet.

Në repartin difensiv, nëse do të jetë i gatshëm, Johan Kortez mund të jetë një nga armët surprizë të bardhebluve. Shpejtësia dhe aftësia e tij për të krijuar epërsi në duele një kundër një mund të jenë faktorë vendimtarë në një ndeshje ku hapësirat janë të pakta. Anton Kresiç do të përballet me presionin e parë të madh në një derbi kryeqyteti.

Për një qendërmbrojtës, përqendrimi maksimal dhe menaxhimi i emocioneve janë thelbësore, sidomos përballë një kundërshtari që kërkon të shfrytëzojë çdo gabim. Ndërkohë, Diar Halili përfaqëson energjinë e re në skuadër dhe mund të jetë një alternativë e vlefshme gjatë ndeshjes, në varësi të dinamikës së lojës. Derbi shpesh nuk njeh favoritë dhe shumë herë janë pikërisht debutuesit ata që lënë gjurmë. Për këta gjashtë lojtarë, sfida me Partizanin është më shumë se një ndeshje kampionati, është një test personaliteti dhe një mundësi për të hyrë në historinë e përballjeve bardheblu-të kuqe.