Sport

Gjika pas 10 vitesh: Flamurtarin ia lashë turqve dhe jo Idrizit, i ktheva dinjitetin dhe lavdinë

10 vite pasi është larguar nga Flamurtari, Shpëtim Gjika rikthehet të flasë për arritjet në krye të klubit vlonjat. Presidenti më karizmatik i kuqezinjve që e ndjen edhe sot peshën e fanellës së rëndë, kujton me nostalgji dy Kupa e Shqipërisë të fituara në “epokën e tij te artë”, kur Flamurtari u rikthye dhe luajti në Europë.

Gjatë një komenti në rrjetet sociale, Gjika thotë se i ktheu nderin dhe lavdinë Vlorës, duke shpallur kampion me Akademinë. Por thotë se afroi edhe djem të talentuar vlonjat në skuadër. Ish presidenti kujton edhe kampionatin e “rrëmbyer” jashtë fushe. Ai flet edhe për përmirësimin cilësisht të infrastrukturës sportive.

“Nuk mora dot kupë kampionati, dolëm nënkampion për arsye jashtë sportit, por ama i riktheva dinjitetin, nderin dhe lavdinë Flamurtarit. Akademia u shpall disa herët kampione Kombëtare. Afrova në ekip djem vlonjatë të talentuar. Fitova 2 kupa të Republikës (nga 4 që ka gjithsej Flamurtari në historinë e tij mbi 100 vjecare), e riktheva ekipin në Europë duke zhvilluar shumë ndeshje ndërkombëtare dhe madje duke u kualifikuar në ture të mëtejshme dhe përmirësova cilësisht infrastrukturën sportive”, shprehet Gjika.

PËR IDRIZIN DHE TURQIT – Shpëtimi Gjika i përgjigjet edhe zërave për lënien e Flamurtarit në dorën e Sinan Idrizit. Ai thotë se Flamurtarin ua dha në administrim kompanive turke. Gjitha thekson se Sinan Idrizi ishte përfaqësues i kompanive turke dhe jo investitor apo administrator ligjor. Se çfarë ndodhi pas 31 korrikut 2015, Gjitha thotë se nuk është përgjegjësia e tij as ligjore dhe as morale. “Sa për kritikën që pse ia lash Flamurtarin zotit Sinan Idrizi, po e ripërsërit për të disatën herë që ekipi i është dhënë në administrim nga ana ime dy kompanive investitore turke dhe jo zotit Idrizi! Ishin vetë kompanitë turke që me të drejtën e tyre ligjore, zgjodhën si përfaqësues të tyre z.Idrizi.

Kjo është e shkruar e zezë në të bardhë dhe e dokumentuar ligjërisht në një kontratë të qartë vetëm 2 vjeçare (31 korrik 2014- 31 korrik 2016), me kompanitë e fuqishme turke! Jo me z.Idrizi. Ky ishte thjesht përfaqësues (jo investitor apo administrator ligjor) i këtyre kompanive! Se çfarë ka ndodhur pas vitit 2016 (e kam mbyllur detyrën si kryebashkiak në 31 korrik 2015) nuk është përgjegjësi as ligjore dhe as morale e imja! Ju falenderoj për mbështetjen dhe mirëkuptoj çdo vërejtje apo kritikë! Por refuzoj çdo gënjeshtër apo fyerje! Respekte. Forca Flamurtari! PS: Na riktheni logon”, përfundon Gjika.