Aktualitet

Grabiti 8 milionë lekë/ Flet polici që neutralizoi grabitësin e “FiBank”

8 milionë lekë arriti të grabiste Bardhyl Fusha një ditë më parë në “FiBank”.

Policia ka njoftuar ditën e sotme se Fusha ka hyrë në këtë bankë me armë zjarri automatik, dhe pasi ka kërcënuar punonjësit e institucionit financiar, ka grabitur paratë.

Ai u vu në pranga sapo doli nga dera e bankës, pasi patrulla e policisë ishte sinjalizuar nga punonjësit. Sapo policia i bëri thirrje për t’u dorëzuar, Fusha hodhi armën dhe çantën me para dhe pa asnjë rezistencë iu bind efektivëve.

Efektivi i Policisë së Shtetit zbardhi të gjithë dinamikën e ngjarjes së djeshme, që rrezikoi të kishte edhe viktima pasi 61-vjeçari ishte i armatosur.

Dyshohet se Bardhyl Fusha, me origjinë nga Librazhdi, ishte një sipërmarrës në fushën e ndërtimit që operonte në Tiranë, ku dhe jetonte, por vitet e fundit është përballur me probleme të mëdha financiare.

Ai dyshohet se është proceduar edhe disa herë të tjera, pasi është akuzuar nga klientë se u ka para të pashlyera. Duket se borxhet kanë qenë shkak që ai të ndërmerrte këtë akt, i cili e çoi pas hekurave.