Sport

Guardiola: Nuk do t’ia falja kurrë vetes po të largohesha tani

Pep Guardiola thotë se nuk do të ishte në gjendje ta falte veten nëse do të largohej nga Mançester Siti në periudhën e tyre më të vështirë që kur mori drejtimin. Kampionët në fuqi e gjejnë veten në vendin e katërt në renditje dhe trajneri katalanas duhet të ringrejë një ekip që jashtë fushe është nën hetim për 115 shkelje financiare.

Thuhet se nëse ata do të shpallen fajtorë me vendimin që pritet të jepet në mars, ata rrezikojnë dhe përjashtimin përveç gjobës apo zbritjes së pikëve. Ai ka fituar 18 trofe në total në “Etihad”, duke përfshirë gjashtë tituj kampion të Premier Ligës dhe pas nëntë vitesh në klub i dha fund pasigurisë për të ardhmen e tij duke nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare nëntorin e kaluar pas një serie prej katër humbjesh radhazi.

Dhe ai këmbëngul se nuk kishte asnjë dyshim se do të përpiqej të organizonte një cikël të ri suksesi. “Ndonjëherë ne nuk e vlerësojmë ose nënvlerësojmë faktin që vuajmë. Jeta është kjo”, tha Guardiola për “Sky Sports News”.

“Njerëzit mendojnë se duhet të jemi gjithmonë të lumtur gjatë gjithë kohës, duhet të tregojmë në rrjetet sociale sa të lumtur jemi. Ky është një gabim, jeta është gjithmonë me ulje ngritje dhe kur ndodh, ndodh dhe sigurisht që është një sfidë e madhe. Unë jam këtu, kështu që nuk do ta falja veten nëse tani do të thosha se do të largohem.

Absolutisht, kjo nuk do të thotë se do të rikthehemi. Nuk e di, por të paktën nuk do të pendohem asnjë sekondë që nuk e provova. As një sekondë. Dhe unë punoj dhe përpiqem ta bëj. Unë mendoj se shumica e lojtarëve duan ta bëjnë këtë, sepse unë e di se si vrapojnë dhe si vuajnë. Por vuajtja është pjesë e jetës, ajo nuk është kurrë perfekte. Kjo është vetë jeta”.

Prandaj 53-vjeçari mendon se ajo që “Qytetarët” kanë bërë gjithë këto vite është mahnitëse: “Ju nuk mund të fitoni të gjitha garat që luani vetëm për një arsye, sepse është e pamundur! Edhe për mua është e pamundur. Por për sa i përket gjithë periudhës që kam qenë këtu për +500 ndeshje, 485 ose 490 kanë qenë një ëndërr e realizuar, kanë qenë një parajsë. Ne ndoshta kemi pasur një sezon të keq, ose dy sezone të këqija, kjo është ajo që ndodh në jetë. Pra, ne e mbivlerësojmë suksesin në jetë shumë, shumë. Ne do të përpiqemi të rikthehemi me klubin dhe do të bëjmë më të mirën”.