Politikë

Hajdari rrëfen përplasjet me Berishën: Pse jam distancuar nga PD, si injoruan kërkesën time

Vajza e Azem Hajdarit, ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari, është shprehur se është larguar nga angazhimi aktiv në PD, pasi zëri i saj nëpër forumet e brendshme të partisë nuk është dëgjuar.

Komentet Hajdari i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se ajo ka kërkuar reformim të PD në Këshillin Kombëtar dhe në përrvjetorin e 32-të të PD-së, por sipas saj, kërkesat e saj nuk janë marrë parasysh dhe sot opozita nuk është aty ku duhet të jetë.

Ajo shtoi se e shikon të vështirë rotacionin politik vitin e ardhshëm, i cili është edhe një vit zgjedhor.

“PD ka pasur sfidat e veta në 5-6 vitet e fundit. Unë isha në politikë në 2017 dhe më tutje me braktisjen e mandateve, të zgjedhjeve vendore dhe përçarjen brenda PD. Të gjitha këto kishin pasojat e veta. Edhe sot nuk shikoj njerëz shumë të frymëzuar që të tregojnë se opozita është në vendin dhe kohën e duhur për të bërë ndryshimin.

Unë kam qenë nga ato pak zëra të brendshëm, jo të jashtë, pra që nuk kam dashur ta dëmtoj PD dhe kur kam shprehur një mendim, e kam shprehur në forumet tona të brendshme, në Këshillin Kombëtar, ku kam shprehur mendimin tim përsa i përket rrugëtimit që PD duhet të ketë.

Përshembull në 11 dhjetor para dy viteve, në 32 vjetorin e PD, unë thashë në fjalën time se PD duhet të reformohet që të jetë më bashkëkohore. Të thithë ata që kanë qenë në PD. Nuk e shikoj këtë reformim me syrin tim. PD nuk është aty ku duhet të jetë. Viti tjetër është një vit zgjedhor dhe duke marrë parasysh edhe kohën, e shikoj të vështirë rotacionin”, tha Hajdari.