Administrata Tatimore ka hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit të shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve për të gjithë individët që kanë plotësuar deklaratën DIVA dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, pas zbritjes së shpenzimeve të lejuara me vlerë 48 mijë lekë, apo deri në 100 mijë lekë në vit.
Aplikimi kryhet nëpërmjet sistemit online “e-Filing” dhe, pas dorëzimit të kërkesës, shuma e kompensimit do të transferohet në llogaritë bankare të deklaruara nga përfituesit gjatë procesit të aplikimit.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të gjithë individët që pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, mund të nisin procedurën e aplikimit për rimbursim duke dorëzuar deklaratën DIVA 2025 në llogarinë e tyre personale në “e-Filing”.
Gjatë aplikimit, kërkohet bashkëngjitja e dokumentacionit përkatës, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare si dhe dokumentet që vërtetojnë shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve. Këto dokumente përfshijnë kontratat me institucionet arsimore dhe faturat e pagesave, si dhe faturat për shpenzime të tjera arsimore, përfshirë edhe pagesat për kurse të gjuhëve të huaja.
Administrata Tatimore sqaron se kërkesa për rimbursim mund të refuzohet në rastet kur deklarata DIVA 2025 nuk rezulton me mbipagesë, kur dokumentacioni i paraqitur është i paplotë ose i pasaktë, si dhe kur shpenzimet nuk janë të ligjshme, ose nuk janë deklaruar në DIVA.
Procedura e aplikimit realizohet pas hyrjes në sistemin “e-Tax”, ku individët duhet të krijojnë një çështje të re si kërkesë për rimbursim, duke zgjedhur modulin “eFiling Im” dhe opsionin “Çështjet e mia”. Më pas përzgjidhet lloji i çështjes “Pyetje të përgjithshme”, ku hapet një format për paraqitjen e kërkesës për rimbursim të tatimit të mbipaguar, sipas vlerës së shfaqur në deklaratën DIVA.
Shuma e kompensimit që përfitohet ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe nivelit të shpenzimeve të zbritura, të cilat varen edhe nga numri i fëmijëve në ngarkim. Për individët me të ardhura vjetore deri në 1,2 milionë lekë, shpenzimet fikse për arsim mund të zbriten deri në vlerën maksimale prej 100 mijë lekësh.
Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi “e-Tax” pas deklarimit të të ardhurave, edhe për ata individë që nuk kanë detyrimin ligjor për të bërë deklarimin.
Diferenca e tatimit vjetor të paguar ose tatimi i mbipaguar që rezulton nga rillogaritja, pas zbritjes së bazës së tatueshme prej 48 mijë lekësh në vit, pavarësisht nivelit të të ardhurave, apo 100 mijë lekësh për ata me të ardhura deri në 1,2 milionë lekë në vit, do të jepet si kompensim për shpenzimet e arsimit të fëmijëve, pas paraqitjes së kërkesës për aplikim.
Sistemi për plotësimin e DIVA u hap më 22 janar dhe afati për deklarim është deri më 31 mars. Afati për aplikimin për kompensim është deri në tre muaj pas plotësimit të deklaratës DIVA.