Sport

“Heroi” i fierakëve në Burrel, Trifoni: Gola dhe asiste, detyra ime për të ndihmuar Apoloninë

Xhovalin Trifoni ishte “heroi” i Apolonisë në Burrel. Ai shënoi golin vendimtar në pjesën e dytë, që i dha mundësinë ekipit të shkëputën me tri pikë nga Kukësi. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Trifoni nuk e fsheh kënaqësinë për golin, por më shumë i gëzohet marrjes së trepikëshit.

Ai është një sulmues “i ftohtë” dhe nuk ka “fiksim” të veçantë për golat, sepse mendon më shumë për skuadrën.

Trifoni, surprizuat, bindët dhe fituat në transfertën e vështirë të Burrelit. Si ia dolët ose më mirë, cili ishte çelësi i suksesit?

Çelësi i suksesit ishte fryma kolektive, zbatimi i detyrave dhe cilësitë individuale. Pa mohuar për asnjë moment punën e palodhur të stafit teknik, që po na jep shtysë dhe na motivon në çdo moment. E vlerësuam në maksimum Burrelin dhe mendoj se bëmë një ndeshje shumë të mirë. Mund ta cilësoj edhe si një nga ndeshjet tona më të mira, pasi gjatë gjithë kohës kemi bërë shumë mirë. Ekipi dha shpirtin në fushë.

Shënuat një gol vendimtar në pjesën e dytë dhe i dhatë fitoren skuadrës. E prisnit këtë paraqitje?

Unë përpiqem çdo herë të jap maksimumin tim në fushë për të ndihmuar skuadrën, me gol apo asist, pak rëndësi ka kjo. Stërvitem çdo ditë me këtë synim dhe për fat të mirë shënova një gol vendimtar që i dha Apolonisë fitoren. Do të përpiqem të bëjë paraqitje të tjera të mira.

Keni shënuar 7 gola. A jeni i kënaqur, apo prisni më shumë?

Jam i kënaqur, ndonëse goli nuk është gjithçka për mua. Përveçse të shënoj, më pëlqen edhe të asistoj për shokët. Përpiqem të bëj sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin. Kjo është dhe detyra ime në fakt dhe shpresoj të vazhdoj me paraqitjet pozitive.

Kujt ia dedikoni këto gola?

Golat i shkojnë gjithë skuadrës, djemve, stafit, tifozëve. Pa ata nuk do të ishte e mundur të shënoja, ndaj golat i shkojnë gjithë ekipit.

Cilin gol sezonal do të konsideroje më të bukurin dhe pse?

Gjithmonë është bukur kur shënon, golat të motivojnë shumë. Të shtatë kanë veçantinë e tyre dhe një sulmues nuk e ka të lehtë të zgjedhë golin më të bukur. Megjithatë, ndoshta goli i shtatë është më i bukur edhe për vetë faktin që morëm trepikëshin.

Së bashku me Maksutin, jeni dy golashënuesit më të mirë të Apolonisë. A ka konkurrencë mes jush?

Nuk ka kurrfarë konkurrence mes nesh. Ne bëjmë të pamundurën që të ndihmojmë ekipin për të realizuar synimet. Futemi në fushë për të dhënë maksimumin dhe me dëshirën për të shënuar e fituar. Shpresoj që ai të rikthehet sa më shpejt në fushë dhe të vijojmë të shënojmë.

Këtë javë prisni Korabin në Fier, si e parashikoni këtë takim?

Është përballje e vështirë dhe ka specifikat e veta. Korabi ka ekip cilësor dhe kualitativ. Do të përgatitemi për të bërë një ndeshje të mirë, si në çdo takim. Fitorja është objektivi ynë. Duhet të bëjmë maksimumin që të arrijmë diçka të tillë. Mendoj se duke ditur forcën e ekipit dhe duke parë atë që dhamë përballë Burrelit në transfertë, Apolonia do të dalë me pikët maksimale nga kjo ndeshje, si dhe për të vijuar udhën e rezultateve pozitive.