Aktualitet

“Hetuesit e BKH erdhën te dera e shtëpisë pa një vendim gjykate”, rrëfimi i Veliajt: Ajola i shoqëroi për kontroll në zyrën e saj dhe shtëpinë e prindërve

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim të gjatë bërë sot në rrjetet sociale, ka folur sërish për kontrollin e ushtruar në banesën e tij nga agjentët e BKH-së pak ditë më parë, ndërsa ai ndodhej në një udhëtim punë në Gjermani.

Veliaj, në reagim e dytë për këtë çështje, ka deklaruar se hetuesit e BKH kanë shkuar te dera e banesës së tij për të ushtruar kontroll, por pas e pasur një vendim gjykate, duke shtuar se pavarësisht kësaj, bashkëshortja e tij është treguar bashkëpunuese dhe transparente, duke i shoqëruar edhe në zyrën e saj apo shtëpinë e prindërve.

“Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve.

Kjo është e gjithë ngjarja, e cila tregoi se as jetoj në vila të pajustifikuara, as kam apartamente të padeklaruara, si hienat dhe plot nga korbat që më sulmojnë nga dita e parë e kësaj detyre. Nuk kemi as llogari në Qipro apo kudoqoftë tjetër, dhe as transferta të majme dhe të padeklaruara për ndërhyrje estetike, si po këta që, kur i kap SPAK-u është Skap, ndërsa kur duan të linçojnë të tjerët në publik është SPAK.

Ah po, nuk kemi as para të padeklaruara dhe as taksa të papaguara nga të ardhurat tona, si shumë prej korbave të tyre”, ka deklaruar Veliaj ndër të tjera.