Kulturë

Historia e partizanit që luajti Birçe Hasko te ‘Radiostacioni’ në libër, autorët e i biri: Skenari i Kadaresë shkaktoi konflikte me punonjësit

Një partizan që u rrëmben gjermanëve Radio Korçën në vitin 1943, e në nëntorin e një viti më pas merr në dorëzim Radio Tiranën, me urdhër të Dali Ndreut. Historia e Todo Bojdanit, mbi të cilën Ismail Kadare ndërtoi filmin “Radiostacioni” vjen e përmbledhur në një monografi me dokumente, kujtime e përjetime, të promovuar në Muzeun Historik.

“Aktiviteti i babait ka qenë në periudha të ndryshme në vende të ndryshme. Në ‘Radio Tirana’ fillimisht, pastaj në ‘Radio Korça’. Pastaj në nëkomandën e Korçës, e prej andej në Shtabin e Përgjithshëm. Në Brigadën e Parë, Korpusin e Parë, Divizionin e Parë…”, tregon i biri Jovan Bojdani.

Autorët Sulejman Basha dhe Albert Zholi kanë hulumtuar përgjatë 4 viteve në Arkivin e Shtetit, atë Ushtarak (Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura), si dhe në materiale bibliotekase për ta sjellë të plotë, por edhe të ‘korrigjuar’ figurën e Bojdanit.

Jo afër figurës reale, në disa elementë të filmit e nxjerr skenari i Kadaresë Bojdanin, siç rrëfejnë autorët e i biri.

“Kadare ka shkruar në mënyrë letrare, në mënyrë artistike. Kur ngjarja në mënyrë dokumentare është disi më ndryshe. Vetë Kadare e takoi disa herë Todo Bogdanin, për të bërë filmin ‘Radiostacioni’, ku ai përshkoi të gjithë historinë e marrjes në dorëzim të radios. Dhe i vetmi ndryshim, që i përcolli Kadaresë Bojdani është momenti kur ai thotë, të gjithë ish punonjësit e Radios, me ikjen e gjermanëve erdhën vetë, në mënyrë vullnetare të ndihmonin ringritjen e Radio Tiranës. Ndërsa në film duket sikur i morën me forcë”, tregon Albert Zholi, bashkautor.

“Unë nuk kam qenë në shtëpi kur Ismaili, së bashku me Mihal Cikon kanë ardhur e duhet të kenë ndenjur mbi dy orë. Babai ka paraqitur të gjithë historinë në mënyrë reale. Dhe kur doli libri e më pas dhe filmi pati shumë reagime nga punonjësit. Duhet të reagojmë, sepse na keni paraqitur sikur na morët me zor. Dhe babai u thoshte: Është vepër artistike, nuk mund tu kërkojmë llogari, s’kemi ç’të bëjmë!”, shprehet Jovan Bojdani, i biri.

Madje, siç sipas tyre, në rolin e partizanit të interpretuar nga Birçe Hasko, Kadare devijon nga karakteri i urtë, e folura me maturi e Bojdanit.

“Babai fliste gjithmonë qetë. Dhe në libër thuhet se vetëm një herë e ka ngritur zërin kur dikush do ti prishte planin e marrjes së Radio Korçës”, shton i biri.

Sa i përket punës në Radio, Todo Bojdani vijoi të jepte kontributin e tij edhe pas Luftës, madje edhe duke trajnuar radioteknikë të rinj.

Monografi të tilla për figura të Luftës Nacionalçlirimtare sipas aktorit Luftar Paja, shërbejnë për t’i dhënë më shumë dritë asaj periudhe.