Lorenc Trashi nuk është pjesë e ekipit të Flamurtarit, pas penalltisë së shkaktuar ndaj Bylisit. Administratori i klubit, Sinan Idrizi, foli sot për herë të parë duke mohuar se është përjashtuar për shkak se dyshohet që e shkaktoi me dashje.
INTERVISTA E PLOTË E ADMINISTRATORIT TË FLAMURTARIT, SINAN IDRIZI
“Nuk kemi marr vendim zyrtarisht akoma. Do të marrim një vendim në përputhje me kontratën që zotëria ka me ne. Nuk jam nga ata që akuzojnë për shit-blerje ndeshjesh, sepse kohët e fundit kam parë një Trashi që është besimtar dhe falet. Nuk dua t’i besoj atyre që flasin për një Trash që ka një llogari të hapur në Tiranë apo Astir ku janë të tjerat. Unë nuk besoj te thashethemet ose opinioni që krijojnë tifozët se Trashi është një njeri kumarxhi. Absolutisht jo. Unë vlerësoj se është një djalë i mirë, familjar, që kërkon të ushqejë familjen e tij dhe vetëm kaq.
Ajo që ne jemi të pakënaqur me Trashin është thjesht se ai nuk mori përgjegjësi për të qëndruar në ballë të objektivave të klubit. Në mënyrë të paarsyeshme, jashtë çdo argumenti sportiv, i krijoi klubit një dëm sportiv që ndoshta mund të jetë i pariparueshëm. Ndeshja e Ballshit për mua ishte vija markacion. Nëse Flamurtari ka një kapiten që është krejt i papërgjegjshëm dhe bën atë që bën… Unë besoj një Trashi që falet 5 herë në ditë, që është mysliman, ka frikë në Zot dhe që nuk i ha hakun askujt. Nuk besoj se është hipokrit. E besoj që është një djalë i ndershëm dhe kaq.
Të paktën klubit duhet t’i kërkonte falje për këtë gabim sportiv që bëri, sepse ai e di shumë mirë se sa na kushton ky gabim sportiv. E kam trajtuar si pjesëtar familje, kur ka patur halle familjare i kam trajtuar ashtu. Më ka shkruar atë natë disa gjëra, nuk i kam kthyer përgjigje qëllimisht, që të uleshin gjakrat dhe të shikonim çfarë ka ndodhur realisht.
Sekretari i përgjithshëm i klubit i ka thënë që je i pezulluar, i ka dërguar mesazh, deri sa të sqarohet situata. Kanë folur që të gjithë në emrin tim. Kanë folur mediat. Unë nuk kam bërë asnjë reagim. ‘Jo po Sinan Idrizi përjashton këtë’, absolutisht jo. Përballjen e parë me median e kam bërë me ju, me asnjë media tjetër. Të jeni të sigurt që Flamurtari do të reagojë, edhe me shkrim siç e do zoti Trashi, patjetër.
Biseda e Trashit? Nuk jam nga këto tipa që një marrëdhënie konfidenciale ta nxjerr në shtyp. Më ka treguar arsyet e tij, nuk jam përgjigjur për arsyen e thjesht se doja të kalonte vala e parë. Vala e parë e indinjimit është një valë që të krijon emocione verbale, të të gjithave llojeve. Është situatë, që është tmerrësisht… Ju e shikoni se tifozeria në Vlorë është shumë e ndjeshme, në reagime ndaj meje dhe i kuptoj, ndaj ekipit dhe i kuptoj. Por kapiteni i Flamurtarit që e thirr para çdo ndeshje, për t’i qarë hallet dhe për t’i treguar se jemi në situatë jo të mirë. Flisnim gjëra të ndryshme. Të arrijë dhe të mos kërkojë ndjesë për atë humbje dramatike që i shkaktoi Flamurtarit, vetëm këtë nuk e kuptoj dot. Nuk besoj se djali luan kumar, nuk hy te pjesa kësaj.
Por një kapiten që nuk ka një shkallë të tillë përgjegjshmërie, të kërkojë ndjesë tifozëve për këtë gafë që bëri. Me këtë humbje pikësh, e përsëris që është vija e markacionit dhe na kalon direkt në situatë tjetër. Nuk i kuptoj këto historitë me bomba dore, tymuese që paska ky djaloshi për mediat. T’i kërkojë ndjesë Flamurtarit për këtë humbje që shkaktoi. Ka shkaktuar edhe të tjera, siç na ka krijuar edhe rezultate të tjera shumë të mira. Në momentin që po shikoj këtë agresivitet nëpër media: ‘Ma jepni me shkrim, me gojë’, ta jap unë si të duash. Çfarë të dojë ia jap unë menjëherë. Unë ndihem më tepër i fyer nga ky djalosh.
Është i pezulluar apo përjashtuar? Sot do e marrë vesh zyrtarisht me shkrim, të japë edhe adresën e shtëpisë ku e ka. Elektronike, ta çoj me shkrim. Meqë e do ashtu zotëria, paska mësuar avokatin ky. Klubi Flamurtari është serioz, nuk funksionon në bazë të thashethemeve të shtypit, kafeneve dhe të tjerëve. Është klub që përpiqet të mbajë të mbajë përsipër të gjitha përgjegjësitë që ka. Dhe siç u është përgjigjur lojtarëve, përfshirë dhe Trashit kur ka trokitur në derë të presidentit të klub. Është klub që mban dhe kërkon përgjegjësi për çdo gjë. Dhe çdo përgjegjësi, me shkrim, këtij djaloshi që tregon bombat që do shpërthejë ky djalosh, do e marrë me shkrim si e do ai. Do ketë një përgjigje shumë te detajuar sot në darkë.
Kontrata? Sot në darkë do e merrni përgjigjen zyrtare. Cila është çështja Trashi? Një personazh që i shkakton klubit, në llogari të mbijetesës dhe arritjes së objektivave, një dëm të pariparueshëm. Dhe klubi detyrimisht do të marrë një masë kundër këtij personi. Ka furi tifozësh që thonë është e shitur, ka dhe një klub që nuk po reagon. Pret të kalojë vala e parë, e dytë dhe tretë që të reagojë. Nuk influencohem kurrë nga furia e tifozëve. Më intereson fakti që kapiteni i Flamurtarit ka shkaktuar këtë gjë nga ana sportive, dhe nuk ka kurajo të kërkojë ndjesë për këtë humbje që i shkaktoi ekipit. Por merret me histori të tipit të tillë: ‘Kam kontratë, do filloj bombat’.
Nëse nuk do ishte Trashi? Në këtë situatë, patjetër. Nuk ka lidhje me Trashin fare. I lashë përgjegjësi morale, si kapiten i ekipit, të bëhej lokomotivë e Flamurtarit dhe ja ku e katandisi. Nuk ka lidhje me Trashin, për mua është një ‘X’ dhe kaq”, u shpreh Idrizi për “Top Channel”.
