Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Itali, ku dy të rinj shqiptarë kanë gjetur vdekjen.
Përplasja e makinës së tyre me një kamion ka qenë aq e fortë, sa të rinjtë e identifikuar si Blendi Syla, 20 vjeç dhe Robert Daçi nuk mbijetuan dot.
“Me dhimbje të thellë njoftoj ndarjen e parakohshme nga jeta të nipit tim Blendi Syla 20 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti në Itali.
Familja Çekaj informon se, për momentin, data dhe ora e ceremonisë së varrimit nuk janë
përcaktuar, pasi pritet kthimi i trupit në Shqipëri.
Sapo të kemi informacion të konfirmuar, do t’ju njoftojmë në vijim.
Falënderojmë të gjithë të afërmit, miqtë dhe dashamirësit për ngushëllimet dhe mbështetjen në këto momente të vështira. I paharruar qoftë kujtimi i tij. Zoti e pastë në paqe shpirtin e tij”, shkruan një i afërm i Blendi Sylës në një postim në rrjetet sociale.
Kujtojmë se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët janë transportuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Ngjarja është regjistruar në strada Sanità, në segmentin e rrugës provinciale që lidh Savigliano me Vottignasco, në provincën Cuneo.
Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një rrugë të ngushtë, e njohur prej vitesh si problematike dhe ku janë shënuar edhe më parë aksidente të rënda.