Çelsi ka dalë nga shinat e garës për titull në Premier Ligë, por Blutë do të kërkojnë një biletë të qetë në raundin e katërt të Kupës FA kur të presin Morkambin, në përballjen e raundit të tretë nesër.
Ndërsa djemtë e Enco Mareskës hyjnë në garë në këtë fazë, “karkalecave” u është dashur të luajnë ndeshjet me Uorthing dhe Bredford Sitin për të fituar një transfertë luksi në “Stamford Bridge” në Kupën e Mbretëreshës. Duke pohuar për javë të tëra se skuadra e tij Çelsit nuk ishte pretendente për titullin e Premier Ligës, fjalët e Mareskës më në fund mund të tingëllojnë të vërteta, edhe nëse deklaratat e tij të mëparshme mund të ishin lojëra psikologjike dhe jo një besim i vërtetë se lojtarëve të tij u mungonte diçka për të shkuar deri në fund.
Pasi fituan tetë ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet nga 23 nëntori deri më 19 dhjetor, Blutë tani nuk kanë arritur të fitojnë në asnjë nga katër ndeshjet e fundit, duke grumbulluar vetëm dy pikë nga 12 të fundit në kampionat, të cilat i kanë sjellë humbjen e terrenit me kryesuesit e Liverpulit. Dikur i papërmbajtshëm në sulm, Çelsi tani e sheh veten të dobësuar në të tretën e fundit të fushës dhe gjithashtu ka shënuar vetëm dy gola në 360 minutat e fundit, duke përfshirë ato të Kol Palmerit me Kristal Palasin, që u barazua nga Zhan-Filip Mateta në ndeshjen e fundjavës së kaluar.
Ndalja në derbin e Londrës i la Blutë 10 pikë pas kreut, ndërsa Liverpuli ka edhe një ndeshje ekstra në dorë. Tani ata janë në rrezik për t’u kapërcyer në renditje nga Njukasëlli dhe Siti, në garën e tyre për katër vendet e para. Megjithatë, pak presin që vështirësitë e Çelsit të përkthehen në një eliminim shokues nga Kupa FA, veçanërisht duke parë që Blutë kanë fituar 35 nga 36 ndeshjet e fundit në këtë kompeticion kundër një skuadre të kategorisë më të ulët, ku i vetmi hap fals është humbja 4-2 me Bredford Sitin në 2015.