Sport

Humbja 0-4 përballë Gjermanisë, trajneri i Kombëtares U17, Tedesco: U penalizuam nga gjërat e vogla, duhet të jemi pozitivë

Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi sot ndeshjen e dytë në Kampionatin Europian, përballë Gjermanisë, në stadiumin “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 0-4. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i Shqipërisë, Andrea Tedesco.

“Ishte një tjetër ndeshje e vështirë për ne, shumë e vështirë. Në pjesën e parë pësuam dy gola që mund të shmangim dhe kishim raste. Nëse do të mund të shënonim apo të ishim më cinikë, mund të ishte ndeshje më e hapur dhe të shihnim pastaj si shkuan gjërat. Por për momentin humbëm një tjetër ndeshje dhe kjo është ajo që kemi.

Sinqerisht dua të flas për performancën e skuadrës, jo të lojtarëve. Sinqerisht ne kishim një qasje më të mirë ndaj Portugalisë. Sot pësuam një gol pas pak minutash pas një rivënie anësore tonën. Mendoj se sot na penalizuan gjërat e vogla në fillim të ndeshjes. Nuk shënuam në shanset që kishim, rivënia jonë anësore e gabuar solli golin. Ndaj mendoj se qasja ishte thuajse e njëjtë, problemi është se ne shkaktuam penallti në të dy ndeshjet. Nuk jemi në gjendje të jemi të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes, në çdo ndeshje. Të bëjmë në mënyrë të jashtëzakonshme gjërat e vogla. Nëse fillojmë të bëjmë në mënyrën e duhur gjërat e vogla, padyshim ndeshjet do të jenë shumë më të hapura se këto dy të parat.

E rëndësishme është të mos i ushtrojmë trysni. Njerëzit e medias kërkojnë emra, ne nuk duhet t’i shtyjmë në këtë situatë, duhet t’i lejojmë të luajnë në mënyrë të shpenguar, pa trysni. Pastaj nëse një lojtar do të bëhet i madh, të gjithë do e shohin. Nëse do të ketë aftësi, do të ngjitë shkallët. E rëndësishme është të mos kenë trysni, që të ndjehet i rehatshëm e të vazhdojë të rriten.

Mungesa e lojtarëve nga kampionati shqiptar? Padyshim kam folur për këtë, e kam thënë si e kemi menaxhuar zgjedhjen. Të gjithë lojtarët, të gjithë fëmijët që e duan këtë sport, duhet të vazhdojnë e stërviten se nuk i dihet të ardhmes, jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Mos u dorëzoni. Ne jemi munduar të zgjedhim më të mirët, e kam shpjeguar mënyrën si, nuk ka asgjë më shumë për të thënë”, u shpreh Tedesco.