Politikë

Hysaj: Bashkia nuk ka bërë asgjë për qytetarët e Durrësit, investimet nuk shkojnë aty ku duhen

Anëtarja e kryesisë së PD, Jola Hysaj përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se bashkia e Durrësit nuk ka bërë asgjë për qytetarët dhe se invesitmet nuk shkojnë aty ku duhen.

Postimi i Hysaj:

E dashur Mirjana Sako,
Nuk e di si i shikon ti qytetarët e Durrësit—ndoshta si “fakirë”, ndoshta si të padukshëm. Po të të tregoj unë kush janë ata:
Janë banorët e Durrësit të Ri, të Durrësit të Vjetër, të Rushkullit, Hamallajt, Bizës, Jubës—qytetarë të lënë pas dore.

Janë ata që çdo ditë ecin në rrugë të prishura, që mbeten pa ujë dhe drita, që detyrohen të bëjnë akrobaci për të mbërritur në shtëpitë e tyre.

Ata nuk kërkojnë luks, as privilegje—kërkojnë vetëm dinjitetin që u takon!

Por çfarë ka bërë bashkia për ta? Asgjë! Investimet nuk shkojnë aty ku duhen.

Rrugët mbeten gropa, kanalizimet mbeten premtime boshe, dhe drita vjen e ikën sikur jemi në një qytet fantazmë.

E ndërkohë, ata që duhet t’u shërbejnë qytetarëve, vetëm vjedhin, zhduken dhe dalin para kamerave me fjalime boshe.

Po të të kujtoj diçka: ky qytet nuk është i yti, është i tyre! Nuk je në atë zyrë për të sunduar, por për të shërbyer! Mos u fshih pas arrogancës, sepse arroganca nuk ushqen, nuk ndriçon rrugët dhe nuk sjell ujë në shtëpitë e njerëzve!

Nëse vazhdon kështu, e ardhmja jote politike është e qartë: do të të mbajnë mend si një tjetër zhgënjim. Dhe qytetarët e Durrësit nuk harrojnë!