Kartoni i Ernest Muçit pritet të blihet nga Trabzonspori. Mesfushori me tipare sulmuese ka bindur klubin turk, ndërsa trajneri Fatih Teke e beson verbërisht. Këtë e ka treguar edhe me fjalët e tij të fundit, ndërsa pyetet për lojtarin e Kombëtares shqiptare.
“Ne kemi pasur një bisedë në momentin e marrjes së vendimit, lidhur me Ernest Muçi. Deri tani në stërvitje është shumë profesionist dhe përpiqet të dëgjojë sa më shumë që mundet. Nga detyrimi ndonjëherë nuk mund ta aktivizojmë në pozicionin që duam. Madje ka pasur raste që e kemi përdorur edhe në rolin e numrit 6.
Muçi ka edhe më shumë për të dhënë. Të gjitha të dhënat e tij janë në nivel elitar. Po flas për liga elitare, si Premier Ligë. Duhet të ndikojë më shumë në rezultatin e ndeshjes. Do të bëhet pak më i fortë. Ka karakterin për të luajtur në çdo ekip”, u shpreh trajneri i Trabzonsporit.
Muçi numëron 13 gola dhe 8 asistime me Trabzonsporin në 26 paraqitje. Për 24-vjeçarin është një sezon rekord, sa i përket statistikave. I huazuar nga Beshiktashi, po kalon një nga momentet më të mira në karrierë.