Aktualitet

I maskuar si “Nisma qytetare”, Klodian Braho i mbyll derën Komisionit “Xhafaj 2”: Cenon pavarësisë e SPAK!

Me pretekstin e luftës kundër parave të pista, Fatmir Xhafaj kërkoi “monitorim” të SPAK

Edi Rama ka riaktivizuar mekanizmat parlamentarë për të “monitoruar”, testuar dhe nëse është e mundur, disiplinuar drejtësinë e re, SPAK-un.

Bëhet fjalë për Komisionin Parlamentar ‘Xhafaj’, i cili ka kërkuar të futet në axhendën e SPAK, pikërisht kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit në mënyrën më aktive të mundshme.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer përgjigje parlamentit, duke i thënë “Jo” Komisionit Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, të drejtuar nga Fatmir Xhafaj për një “vizitë monitoruese” në SPAK, gjoja me idenë e zbatimit të masave për luftën kundër pastrimit të parave.

Me një formulim të prerë, prokurorët e SPAK e cilësojnë nismën si ndërhyrje të paligjshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë kushtetuese të institucionit duke e lënë Xhafajn jashtë dyerve të prokurorisë.

Fillimisht SPAK sqaron se raportimi institucional është kryer dhe vijon të kryhet në mënyrë të rregullt dhe të plotë.

I maskuar si “Nisma qytetare”, Klodian Braho i mbyll derën

Pjesë nga përgjigjja e SPAK drejtuar Parlamentit

Prokurorët vënë në dukje se nga ana e Agjencisë së Inteligjencës Financiare nuk ka pasur asnjë shqetësim konkret, asnjë çështje specifike dhe asnjë problem që të kërkonte një ndërhyrje të jashtëzakonshme parlamentare.

Pastaj vjen thelbi. SPAK i kujton Kuvendit dhe Komisionit Xhafaj se është institucion i pavarur kushtetues, i cili raporton vetëm në përputhje me Kushtetutën, ligjet organike dhe Rregulloren e Kuvendit. Dhe e thotë qartë, pa ekuivok: “Prokuroria e Posaçme nuk mund të ‘monitorohet’ dhe nuk njeh legjitimitetin e kësaj praktike”.

I maskuar si “Nisma qytetare”, Klodian Braho i mbyll derën

Çdo përpjekje për vizita të tilla monitoruese, thuhet në dokument, “do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme”, një pavarësi që nuk është thjesht një parim formal, por “kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit”.

I maskuar si “Nisma qytetare”, Klodian Braho i mbyll derën

Në përfundim, SPAK shpreh hapur mosdakordësinë për realizimin e vizitës së planifikuar nga Komisioni Xhafaj që ishte planifikuar të zhvillohej në datën 6 shkurt 2026, duke e konsideruar atë “në kapërcim të ligjit dhe cenim të pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme”.