GJKKO caktoi sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për avokatin Besart Logu, pas kërkesës së SPAK. Prokuroria Speciale në një njoftim zyrtar bëri të ditur se për avokatin Logu ka dyshime të arsyeshme, të cilat mbështeten në prova, se personi nën hetim ka kryer veprën penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
“Në datën 27.11.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 242, mbi kallëzimin e shtetasit me iniciale S.C, për veprat penale:
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, (neni 319/ç i Kodit Penal);
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (neni 245/1 i Kodit Penal).
Nga hetimet proaktive, të cilat u kryen nga hetues të Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit, rezultoi se në datën 13.12.2024, i hetuari ka marrë shumën prej 8000 (tetë mijë) euro, (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit). Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja kishte të bënte me veprat penale, “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim“Fshehja e te ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a e 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.
Hetimet kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit e tij, S. C.. Ky premtim nuk është realizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Ndërkohë, avokati Logu në një reagim të tij shprehet se gjatë kontrollit nga agjentët e policisë nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo çdo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit.
“Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale të mundshme. Gjatë gjithë karrierës time si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë duke patur prioritet vetëm interesin e klientit dhe kjo brënda kornizave që rregullon ligji.
Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t’i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati.
Lajmi i keq në gjithë këtë histori është se po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit. Kjo tendencë duket edhe tek ndryshimet e Kodit Penal ku qeveria vlerëson si element penal edhe rastin kur ke marrë më shumë para nga sa ke ofruar shërbim.
Kështu, jam i gatshëm të përballem me këtë akuzë sepse jam i bindur në një të vërtetë absolute:
▪︎ Nuk kam marrë para për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
▪︎ Nuk kam takuar asnjë zyrtar drejtësie
▪︎ Si dhe nuk është marrë mbrapsht asnjë shërbim i kundraligjshëm.
Këtë e provon çështja në fjalë dhe e gjithë ecuria e saj”, shkruan ai.