I rrëshqiti këmba dhe u përplas me kokë në shatërvan, humb jetën 10-vjeçari shqiptar në Itali
Të shtunën që lamë pas, 10 vjeçari Alessio me origjinë shqiptare po luante në shesh si çdo fëmijë tjetër në qytezën Castelluccio dei Sauri në juglindje të Italisë. Por brenda pak minutash, gjithçka u kthye në tragjedi. Të miturit i rrëshqiti këmba i dhe u përplas me kokë te muri i një shatërvani. Pas goditjes humbi frymëmarrjen dhe pësoi arrest kardiak.
Një mjek reanimator që ndodhej rastësisht aty i dha ndihmën e parë në përpjekje për ta mbajtur djalin në jetë. Më pas në vendngjarje mbërritën ambulancat nga Troia dhe Foggia, bashkë me autoambulancë të specializuar dhe reanimatorë. Për më shumë se 45 minuta u përpoqën ta shpëtonin Alession. Por zemra e tij kishte pushuar së rrahuri.
Trupi i pajetë u dërgua në morgun e Foggias në pritje të autopsisë Në vendngjarje shkuan edhe karabinierët, ndërsa specialistët e hetimeve shkencore bënë matjet dhe verifikimet për të sqaruar çdo detaj.
Qyteti është në heshtje, sipas raportimeve të mediave italian. Dhimbja ka prekur çdo familje. “Castelluccio është ndalur. Është një dhimbje e pafund”, tha kryebashkiaku Azzone, duke iu bashkuar ngushëllimeve për familjen e vogëlushit.