Sport

I zhgënjyer nga trajtimi i Flik, talenti i madh i Barcelonës paguan klauzolën dhe është gati t’i bashkohet Guardiolës te Siti

Klubi i Barcelonës po përjeton një periudhë shumë të suksesshme, sidomos pasi ka vendosur në vitin e fundit hegjemoninë mbi Real Madridin. Por jo çdo gjë shkon mirë kur skuadra dominon me një grup “të zakonshmish”. Kjo shihet qartë edhe nga vendimi që ka marrë një nga talentet më premtues të Barcelonës, Pedro Fernandes Sarmiento, i njohur gjerësisht si Dro.

Mesfushori ka qenë një nga yjet e “La Masia” në vitet e fundit dhe për të gjithë, 18-vjeçari shihej si një lojtar i cili duhej të kishte të hapura tashmë dyert e ekipit të parë. Por për të nuk ka qenë kështu nën drejtimin e Flik, i cili ka alternuar në rolin e tij në repartin e mesfushës Dani Olmon dhe Fermin Lopez.

Sipas mediave spanjolle, kjo ka shtyrë spanjollin të bëjë fakt të kryer largimin që në muajin janar. Bëhet e ditur se ai ka lajmëruar Flik se është i zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar duke mos i dhënë mundësinë të shprehte vlerat e tij dhe do të largohet që në ditët e ardhshme nga katalanasit. Djaloshi do të paguajë klauzolën prej 6 milionë eurosh në kontratë. Destinacioni i tij është Mançester Siti i Pep Guardiolës, gjithmonë nëse Luis Enrike nuk e bind t’i bashkohet te PSG, pasi trajneri ka shfaqur gjithashtu interes për të.

Ky vendim i Dro vjen në një moment kur Deko po planifikonte t’i ofronte një kontratë afatgjatë, të parën si profesionist.