Krimi del jashtë kontrollit, por Drejtori i Policisë, Ilir Proda, merret me tenderë abuzivë për të marrë makina luksoze me qira, duke favorizuar oligarkët e afërt me qeverinë…
Situata e rendit dhe sigurisë në Shqipëri po përkeqësohet çdo ditë e më shumë, me rritjen e rasteve të vrasjeve, plagosjeve, vendosjes së tritolit, rrëmbimeve, grabitjeve të banesave dhe bizneseve, përdhunimeve, aktivitetit të prostitucionit, trafikut të drogës dhe armëve, madje edhe kontrabandës së floririt me mjetet e policisë dhe implikimin e drejtuesve të lartë të policisë në aktivitete kriminale.
Ndërkohë që kjo valë e rëndë kriminale ka shkaktuar panik dhe pasiguri tek qytetarët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duket krejtësisht indiferent. Edhe pse Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe kryeministri Edi Rama e promovuan atë si një “dorë të fortë” që do të vendoste rend dhe qetësi, Proda e ka zhvendosur vëmendjen në aktivitet politik-elektoral dhe tenderë të dyshimtë.
Në një tender të hapur më 5 maj 2025, Ilir Proda ka vendosur të marrë me qira automjete për Policinë e Shtetit, në një procedurë që kap shumën prej 5.5 milionë eurosh me TVSH, të ndarë në dy lote. Procedurat do zhvillohen më 28 maj 2025, duke përfituar një trajtim të posaçëm me pretendimin e “nevojës emergjente”.
Loti i parë është në vlerë 2.74 milionë euro për automjete të tipit “SEDAN”, ndërsa loti i dytë në vlerë 2.76 milionë euro për automjete të tipit “SUV”, të cilat do të përdoren nga Policia e Shtetit për një periudhë katërvjeçare. Përveç shumës së madhe të qirasë, Policia do të mbulojë edhe kostot e sigurimeve, kolaudimeve dhe mirëmbajtjes, duke ia rikthyer automjetet kompanisë private në përfundim të kontratës.
Një analizë e thjeshtë tregon se me këtë shumë, Policia mund të blinte rreth 275 automjete të reja, me një kosto maksimale prej 20 mijë euro secila, duke siguruar kështu një aset të qëndrueshëm për institucionin. Në vend të kësaj, Ilir Proda ka zgjedhur të vazhdojë praktikën korruptive të marrjes së automjeteve me qira, duke favorizuar bizneset pranë qeverisë.
Në fakt, kjo praktikë vazhdon prej më shumë se 10 vitesh, ku pjesa më e madhe e këtyre kontratave i është dhënë kompanisë “Classic Shpk” në pronësi të Agron Papulit, një mik i ngushtë i kryeministrit Rama. Ky tender i ri i Prodas duket si vazhdim i të njëjtit skenar abuziv dhe nepotik, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të vuajnë pasojat e një situate të përkeqësuar të rendit publik./Pamfleti