U zhvillua fundjavën që lamë pas edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar “Violinistic greetings”, i organizuar në Universitetin e Arteve.
Koncerti “Souvenir”, ishte një recital melodish për violinë e piano, pjesë e këtij festivali, që solli tingujt e Svendsen, Debussy, Elgar si dhe dy pjesë shqiptare, të kompozuara nga Ina Kosturi.
Në “Souvenir” interpretuan Ina Kosturi në violinë dhe Maniola Camuset Trebicka në piano, e cila ishte e ftuara nga Franca për këtë edicion të festivalit.
Dy artistet interpretuan:
– Romancë opus 26 për violinë dhe piano nga Johan Svendsen;
– “En bateau”, “La plus qeu lente -Valse” nga Claude Debussy;
– Baladë për violinë dhe piano (Dedikim nënës) nga Ina Kosturi;
– Sonatë për violinë dhe piano në e minor op.82 nga Edward Elgar;
– “Greetings from Vienna” (2025) nga Ina Kosturi.
Në këtë festival Ina Kosturi vjen si interpretuese dhe krijuese e dy veprave për violinë e piano, një baladë dhe një bravura. Veprat e kompozuara dhe interpretuara për koncertet e festivalit “Violinistic greetings” nga violinistja Ina Kosturi janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare. Kosturi është e para shqiptare që boton me shtëpinë botuese Universal Edition dhe interpreton si soliste në “Mozarthaus”, Vjenë. Aktualisht është profesore e asociuar e violinës në Universitetin e Arteve.
Ndërsa, Maniola Camuset-Trebicka është një nga pianistet më të shquara të gjeneratës së saj, me një karrierë koncertore ndërkombëtare.
Krahas aktivitetit të saj si soliste dhe muzikante dhome duke luajtur në koncerte recitale e festivale të ndryshme në Evropë, kontribuon në zhvillimin e muzikës bashkëkohore me krijime të Pierre Thilloy, Henri Nafilyan dhe kompozitorëve shqiptarë.
Për angazhimin e saj artistik është dekoruar me titullin Kalorëse në Urdhrin e “Palmave Akademike” (Chevalier de l’ordre des Palmes Académiques” dhe me dekretet nga presidenti francez, mban titullin Kalorëse në “Urdhrin Kombëtar të Meritës” (Chevalier de l’Ordre National du Mérite).