Konferencat për shtyp të trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo, vijojnë të shoqërohen jo vetëm me deklarata sportive, por edhe me momente të veçanta dhe gazmore. E tillë ishte edhe konferenca e sotme, në prag të përballjes ndaj Polonisë.
Një episod i pazakontë ndodhi që në fillim të konferencës. Teksa u ul në sallë dhe po përgatitej të fliste përpara mediave, Silvinjo tentoi të rregullonte mikrofonin për ta vendosur në pozicionin e duhur. Megjithatë, pa dashje ai e prishi atë, duke mbetur për disa çaste i shtangur.
Menjëherë pas kësaj, trajneri kërkoi ndjesë me një gjest spontan, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e përgjegjësit të komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra, bëri të mundur rregullimin e mikrofonit dhe vijimin normal të konferencës.
Një tjetër moment interesant u regjistrua në fund të takimit me gazetarët. Pasi falënderoi në shqip dhe u bë gati të largohej nga salla, Silvinjo u rikthye për t’iu drejtuar sërish Kodrës, këtë herë me një koment në formë batute: “Fatjon, stilolapsin! Më ke humbur stilolapsin”. Zyrtari i FSHF reagoi menjëherë, duke ia kthyer stilolapsin që i kishte marrë pak më herët trajnerit.
Këto episode, ndonëse të vogla, reflektuan një atmosferë të relaksuar në prag të një ndeshjeje të rëndësishme për Kombëtaren.