Të jesh drejtues në Autoritete që kanë të bëjnë me AKU, ARRSH, AKUK dhe FSHZH është luks; “vjen pa mbathje e ikën me kostum”.
I tillë është edhe rasti që ka ardhur në redaksinë e VoxNews nga një inspektore e e Task Forcës së ujërave larëse, në varësi të AKUK.
Inspektorja e cila ka kërkuar të mbetet anonime, ka ngritur akuza ndaj Arnold Pashollarit i cili është emëruar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Task Forcës në AKUK , (Agjensia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime) të Shqipërisë.
Më herët Pashollari ka mbajtur postin e drejtorit të AKU në Fier, drejtorit të IMTV në Lushnje, etj.
Sipas inspektores së AKUK, Pashollari u bën presione të vazhdueshme dhe kërcënime për vendin e punës. Drejtori i AKUK u ka marrë dietat inspektorëve dhe nuk jep makinat e institucionit për inspektime.
Inspektorja ka hedhur akuza të rënda për Pashollarin ku sipas saj, gjatë inspektimeve, përgjegjësve të grupeve u kërkohet t’u japin bizneseve numrin e drejtorit, me qëllim që ai t’i “zgjidhë” çështjet pas orarit të punës.
Denoncimi i inspektores së Task Forcës në varësi të AKUK për VoxNews:
Jam një inspektore e Task Forcës së ujërave larëse, në varësi të AKUK, me drejtor të sapoemëruar z. Arnold Pashollari. Prej dy muajsh ndodhemi nën presion të vazhdueshëm dhe kërcënime për vendin e punës. Edhe kur kemi dalë në terren, na është kërkuar të kthejmë dietat tona në zyrën e drejtorit.
Rreth 10 punonjës u hoqën javën që shkoi me një të rënë të lapsit, pa asnjë paralajmërim, vetëm sepse nuk iu bindën këtyre makinacioneve që po përdor ky epror.
Po ashtu, gjatë tre javëve të fundit, edhe kur kemi shkuar për inspektime, në urdhrin e punës janë shënuar makinat e institucionit, por në të vërtetë kemi lëvizur me makinat tona personale drejt qarqeve Lezhë–Shkodër. Pasi kemi mbërritur në qytete, kemi parkuar makinat tona dhe kemi vijuar lëvizjen me makinat e shoqërive rajonale të ujësjellësve. Mesa duket, drejtori është aq i pangopur sa po përfiton edhe nga nafta e makinave.
Gjatë inspektimeve, përgjegjësve të grupeve u kërkohet t’u japin bizneseve numrin e drejtorit, me qëllim që ai t’i “zgjidhë” çështjet pas orarit të punës. Kjo gjë duket qartë edhe nga performanca e punës: gjatë gjithë kësaj periudhe janë kryer shumë inspektime, por nuk është vendosur asnjë masë administrative, pasi çështjet janë “zgjidhur” në mënyrë të dyshimtë.
Sipas informacioneve tona, ky person ka një piceri në Lushnjë dhe ka punuar ngushtë me shtabet elektorale, ku ka krijuar mbështetje të fortë. Mesa duket, pas fushatës është shpërblyer me këtë post të rëndësishëm nga drejtuesit e qarkut Fier.
Ju lutem, po na rrezikohet buka e fëmijëve. Investigoni këtë rast ose reagoni me një shkrim që të dëgjohet zëri ynë. Ju lutem, dëshironi të mbetem anonim/e, pasi në të kundërt do të përballem me pasoja të rënda.
Bëmat e Arnold Pashollarit dhe denoncimet nga stafi i tij
Pashollari ishte emëruar, Drejtor Rajonal i AKU-së Fier, në nëntor të vitit 2023, ku sipas medias alert i ka shërbyer më së miri vetes e familjes së tij.
Arnold Pashollari, duket i stërvitur nga një detyrë e mëhershme e mbajtur deri në vitin 2021.
Konkretisht sipas CV-së së tij, Specialist i Masave Shtrërnguese në UK Lushnjë. Problematikat e shfaqura nga ky drejtor nisin me subjektet në Qakun Fier, ku ankesat ndaj tij kanë qenë të shumta.

E madje, edhe nga stafet e tij.
Shkeljet nisën kur menjëherë pas emërimit, Pashollari mori në dorëzim makinën e AKU me targa AA 457 VV, të zhveshur nga të gjitha logot e AKU, të cilat më herët ia kishte hequr ish-drejtori Eraldo Xhaja, të cilit dukej se nje makinë shteti, e loguar me prokurim publik e me paratë e taksapaguesve, do t’i prishte punë.
E ka të ngjarë, që në këtë këndvështrim mund ta ketë parë situatën edhe Arnold Pashollari, i cili e mori në dorëzim e madje pagoi edhe 12 gjoba të policisë që i kishte makina, të trashëguara nga paraardhësi.
Madje, “gojët e liga” thonë se kjo makinë shërben mbrëmjeve edhe për të shpërndarë pica nga piceria në Lushnjë, e cila është në emër të bashkëshortes së tij H.K, (zyrtarisht bashkëjetueses, sepse nuk kanë celebrim), me të cilën ka dhe një fëmijë.

Siç tregon dhe ky akt inspektimi i AKU në vitin 2023, në picërinë e tyre, ku përfaqësuesi që ka firmosur, Arnold Pashollari (asokohe nuk ishte drejtor i AKU), janë gjetur shkelje dhe lënë detyra.

Ndërkaq, nuk dihet nëse që nga nëntori i vitit 2023 e deri sot, është inskeptuar apo jo.
Për të mos folur më tej për emërime shoqërore, pa ndonjë konkurs apo meritë, por hiq njerëz e emëron njerëz.
Një prej rasteve është ish-kolegu dhe miku i tij me të cilin kanë punuar në Lushnjë, Sh.P, të cilin e ka emëruar specialist në Sektorin e Shërbimeve të Brendshme.
Pra si përfundim, përtej imazhit e perceptimit dhe shpesh herë edhe fakteve se, inspektorët bëhen të pasur, të jesh në krye të Drejtorive nuk është e lehtë.
Duhet t’i kesh shërbyer mirë partive, udhëheqësve e mbi të gjitha, të jesh (dallaverexhi, të dish të abuzosh, të dish të mbledhësh lekë nga bizneset ushqimore e mbi të gjitha, nëse do jetëgjatësi, të dish t’i ndash ato që merr).
Por, ka dhe raste përjashtimore, që drejtuesi nuk merr dhe sigurisht nuk e ka jetën e gjatë aty. Ose aq më keq, kur i merr dhe nuk di t’i bëjë “share”./Vox News