Sport

Interi harron të fitojë ndaj “bigëve”, Napoli nuk dorëzohet kurrë

Sfida e madhe e Serie A mes Interit dhe Napoli përfundoi me një barazim spektakolar 2-2, një rezultat që nuk i kënaq plotësisht asnjërën skuadër, por që mban të hapur luftën për titull. Në një “San Siro” të zjarrtë, ndeshja ofroi ritëm të lartë, emocione, gola dhe polemika, duke konfirmuar peshën specifike të përballjeve direkte në këtë sezon.

Interi e nisi më mirë takimin dhe mori avantazhin pas golit të Dimarkos,. Zikaltërit u shfaqën të sigurt në fazën e ndërtimit dhe për disa momente dukeshin pranë kontrollit total të ndeshjes. Napoli, megjithatë, reagoi me karakter dhe gjeti barazimin falë Skot MekTominei, i cili u shndërrua në protagonist absolut të mbrëmjes. Mesfushori skocez shfrytëzoi një hapësirë në mbrojtjen e Interit dhe riktheu ekuilibrin, duke rritur besimin e skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, Interi kaloi sërish në avantazh, por sërish nuk arriti ta menaxhonte rezultatin.

Hakan Çalhanoglu riktheu avantazhin për zikaltrit, pas rrealizimit të një penalltie, vendim që shkaktoi reagime të forta nga ana e Napolit. Megjithatë kampionët nuk u dorëzuan sërish, MekTominei goditi edhe një herë, duke kompletuar dopietën personale dhe duke i dhënë Napolit një pikë shumë të rëndësishme në garën për Skudeton. Për skuadrën e drejtuar nga Kristian Kivu, barazimi lë shije të hidhur. Interi kishte mundësinë të shkëputej në renditje dhe të krijonte distancë nga rivalët direktë, por vështirësitë në ndeshjet e mëdha vazhdojnë të jenë një problem i hapur.

Statistikat flasin qartë: Interi ende nuk ka arritur të fitojë kundër Milanit, Napolit dhe Juventusit, një faktor që mund të peshojë rëndë në fund të sezonit. Edhe ndaj Napolit, zikaltërit u ndëshkuan nga disa pasiguri mbrojtëse dhe mungesa e cinizmit në momentet vendimtare. Nga ana tjetër, Napoli del nga “San Siro” me bindjen se mund të luftojë deri në fund për titullin.

Dopieta e MekTominei konfirmon rëndësinë e tij në skemat e Kontes, i cili megjithatë u bë protagonist negativ me protestat e tij dhe përjashtimin nga pankina. Barazimi mban Interin në krye të renditjes, por me një avantazh minimal ndaj Milanit dhe vetëm disa pikë më shumë se Napoli. Një kampionat ende i hapur, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë dhe ku sfidat direkte vazhdojnë të jenë vendimtare për fatin e garës për titullin kampion këtë sezon në Serinë A.