Sport

Interistët e inatosur pushtojnë rrjetet sociale, i iku nga duart titulli për faj të gjyqtarit napolitan

Interi nuk ka mundur të kapërcejnë Napolin në kreun e renditjes në javën e parafundit të Serisë A pasi një penallti e diskutueshme solli barazimin 2-2 ndaj Lacios. Por më shumë se penalltia e diskutueshme, skuadrën e Interit dhe sidomos tifozët e saj që kanë pushtuar rrjetet sociale i ka tërbuar gjyqtari i cili ishte i vendosur në VAR.

Gjyqtari nga Pompei pranë Napolit, Marko Guida, deklaroi pa kohë më parë se ai dhe Mareska kishin vendosur të mos gjykonin ndeshje të skuadrës napolitane edhe nëse i caktonin, pasi nuk dëshironin të kishin probleme, meqë në këtë qytet “futbolli përjetohet ndryshe”. Por gjyqtari napolitan, ishte i pranishëm në sallën e VAR për ndeshjen mes Interit dhe Lacios, duke qenë pjesë e trupës që sinjalizoi kryesorin Kifi për prekjen e dyshimtë me dorë në zonë që solli penalltinë e barazimit.

Një zgjedhje e gjyqtarëve që ka inatosur Interin dhe tifozët e skuadrës zikaltër, të cilët në rrjetet sociale nuk kanë ngurruar që të përhapnin teoritë e zakonshme të komplotit apo ndihmës në favor të Napolit. Nga ana tjetër, napolitanët i kanë dalë në mbrojtje, ashtu siç pritej, duke kujtuar “favoret” që u kishte bërë ai zikaltërve në të kaluarën, si për shembull në vitin 2022 kur nuk dha një penallti të dukshme kundër tyre në ndeshjen ndaj Torinos, apo edhe ndaj Bolonjës. Rrjeti zien nga akuza e kundërakuza, që kanë ndezur edhe më shumë fundin e pazakontë të Serisë A.