Aktualitet

Ish-drejtori i OSHEE-së bllokon kolektorin në Durrës, Sako hesht për biznesin e ndërtuar nga vartësi i Ballukut, Plator Mehmeti

Përmbytjet masive në Durrës, kanë nxjerrë në pah jo vetëm abuzimet dhjetëra milionë euro me tenderin e ndërtimit të hidrovorit, por edhe bllokimin e sistemit të kullimit dhe kanalizimeve nga drejtues të lartë të administratës publike.

Pamjet në ekran, tregojnë kolektorin e ujërave të larta në Sektor Rinia në Durrës, i cili ka një gjerësi rreth 4 metra. Por në një segment të tij, ky kanal është bllokuar, siç shihet edhe nga pamjet, duke u vendosur tombino me diametër rreth 50 deri në 1 metër. Vendosja e këtyre tombinove është bërë me qëllim që të ndërtohet një shesh i madh, që i shërben një biznesit të Plator Mehmetit.

Ky shtetas është një person i njohur për durrsakët dhe shqiptarët, pasi për vite të tëra, ka qenë një nga njerëzit e besuar të Belinda Balluku, duke mbajtur edhe postin e drejtorit të OSHE në Durrës. Plator Mehmeti, i denoncuar nga emisioni investigativ Plug, rezulton se është pronar i kompanisë HTM shpk, kapanonet e të cilës janë ndërtuar pikërisht mbi kolektorin që duhet të shërbente për të larguar ujin e shiut nga Durrësi duke evituar mbytjen e banesave dhe bizneseve.

Banorët e zonës në Sektor Rinia,protestuan këtë shtunë, duke akuzuar pikërisht Plator Mehmetin si përgjegjës për përmbytjen e dhjetërave bizneseve dhe banesave në këtë zonë. Ky skandal bëhet edhe më i rëndë, pasi vetëm një ditë më parë, kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, në kuadër të propagandës, publikonte pamje të fadromave të IMT që shembnin mure apo  çadra të komuniteti rom, me pretendimin se ato kishin zënë kolektorët.

Por, pavarësisht showt, Emirjana Sako duket se nuk guxon të shkojë pikërisht në Sektor Rinia, aty ku ish-vartësi i Belinda Ballukut ka bllokuar pikërisht kolektorin që duhet të shpëtonte Durrësin nga përmbytjet.