Oguzhan Ozyakup, mesfushori turk që ka lënë gjurmë me fanelën e Beshiktashi, ka shprehur vlerësimin e tij për repartin aktual të mesfushës së skuadrës ku aktivizohet edhe Kristjan Asllani.
33-vjeçari, i cili gjatë karrierës së tij me Beshiktashin numëroi 310 paraqitje dhe mbajti shiritin e kapitenit si në nivel klubi ashtu edhe me përfaqësuesen, aktualisht luan në Holandë. Në një prononcim të fundit, ai u ndal te performanca e treshes së mesfushës së përbërë nga Asllani, Kokçu dhe Olaitan.
Asllani u rikthye si titullar menjëherë pas përfundimit të pezullimit, duke dhënë kontributin e tij në fitoren 3-2 ndaj Basaksehir. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte pjesë e formacionit që siguroi tre pikët në një ndeshje të luftuar.
“Më pëlqen me të vërtetë treshja e mesfushës (Asllani, Kokçu, Olaitan). Kjo treshe duket si një mesfushë solide dhe jam shumë optimist. Nëse mund të jemi të qëndrueshëm me këtë organizim deri në fund të sezonit, Beshiktashi mund të jetë i suksesshëm”, është shprehur Ozyakup.
Deklarata e ish-kapitenit vjen në një moment kur Beshiktashi synon stabilitet dhe rezultate pozitive në fazën vendimtare të sezonit, ndërsa kontributi i mesfushës konsiderohet kyç për objektivat e skuadrës.