Artan Bano, ish-futbollist i Lushnjës dhe Kombëtares, si dhe ish-trajner i verdhejeshilëve, ishte një ndër personazhet kryesorë, që ndoqi nga afër ndeshjen Lushnja-Flamurtari, në tribunën qendrore të stadiumit “Roza Haxhiu”.
Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport” tekniku lushnjar tha ekipi i Lushnjës është në një situatë jo të mirë dhe duhet një analizë e thellë. “Sipas mendimit tim, duhet një shkundje totale e të gjithë ekipit”, tha Bano.
Bano, si e patë përballjen Lushnja-Flamurtari?
Një ndeshje e administruar jo mirë nga ekipi i Lushnjës. Jo për shkak të terrenit, por të dyja skuadrave që bëjnë diferencën.
Ku ishte problematika dhe pse ishte një zhgënjim?
Patjetër ishte zhgënjim. Ndoshta, jo dhe nga rezultati se në fund të fundit një ekip shumë i mirë, siç është Flamurtari, edhe të mund në momente të caktuara. Por, loja lë për të dëshiruar për vazhdimësinë.
Si e vlerësoni momentin që po kalon Lushnja?
Është një moment jo i mirë i Lushnjës. Një moment i vështirë, duke patur parasysh, që ekipi nuk ngroh me lojë dhe me karakter. Më tepër, ne duhet të ndalemi te kjo pjesë, sesa të humbja me Flamurtarin.
Përse?
Sepse humbjet ndodhin. Sidomos, me ekipe që kanë investime dhe futbollistë me goxha kualitet, siç është Flamurtari, Vora apo Besa e Kavajës. Kur bëhet fjalë për klubet e tjera, ekipi i Lushnjës duhet të jetë superior. Duke patur parasysh se investimi është në shkallën superiore. Financat janë shumë të mira. Mbase është momenti i mirë i Lushnjës, sidomos këtë vit, që ka terrene sportive për të stërvitur futbollistët. Janë në shkallën superiore.
Mendoni se duhet një analizë e thellë?
Duke patur parasysh që kjo është një avantazh, që ndoshta ne, ose kur kam qenë unë trajner i Lushnjës, nuk e kam patur këtë komoditet. Si nga na financiare, ndoshta edhe nga terrenet sportive. Ndaj, mendoj se duhet një analizë e thellë. Kam mendimin se Lushnja në këtë moment është në udhëkryq. Duhet të dalë direkt nga kjo situatë jo e këndshme.
Lushnja ndodhet në vendin e shtatë, por ka një interesim të madh ndaj skuadrës. Si shpjegohet kjo gjë?
Duke patur parasysh që ka një masivitet të madh të publikut, fanellën e Lushnjës e kanë si fe. Edhe pse ka rezultate të dobëta, shikon një publik që i rri pranë. Edhe ata e ndjejnë vetë, pasi nuk janë shumë entuziastë edhe kur vijnë në stadium. Gjithsesi, stadiumi mbushet. Edhe pse nuk janë ato përmasat e 7-8 viteve më parë. Është ekipi, ai që e sjell publikun në stadium.
Thatë që Lushnja është në udhëkryq…
Duhet një analizë shumë e thellë për këto ndeshjet në vazhdim, sidomos nga kjo javë që është shumë vendimtare. Ndeshja me Valbonën, në Tropojë, është shumë decizive për ekipin e Lushnjës. Sipas mendimit tim, do të marrë rrjedhën. Pra, do të ketë premisa për të ikur lart, apo e kundërta që do të sjell një situatë të vështirë.
Konkretisht, në cilin kah e shihni trajektoren e skuadrës?
Kam frikë, se ndoshta mund të përballemi prapë në “play-out”, nëse nuk do të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës me Valbonën. Kështu, që nga kjo javë duhet seriozitet maksimal. Duhet dëshirë, pasi kjo mungon bashkë me seriozitetin në fushë. Mungon gjithçka.
Cilat mund të jenë arsyet?
Nuk e di. Duhet të jesh brenda ekipit, që të gjesh një arsye, por unë kam mendimin se futbollistët janë të mirëpaguar. Pagat i kanë, komoditetet i kanë, fushat i kanë. Nuk e di se çfarë mungon te klubi i Lushnjës. Për këtë situatë, jo vetëm unë, por të gjithë ish-futbollistët e Lushnjës jemi të shqetësuar. Ndoshta edhe publiku lushnjar është shumë i shqetësuar. Duke patur parasysh që Lushnja është ndër tre, apo katër ekipet që mirëpaguhet. Ka seriozitet, por ky seriozitet nuk shpërblehet me cilësi në fushë dhe me pikë.
Çfarë duhet të ndryshojë, të paktën për momentin?
E ritheksoj, duhet një analizë e thellë. Duhet me patjetër që ekipi të ndryshojë formë. Të ndryshojë mënyrën e të luajturit. Në fund fare, duhet edhe një sakrificë shumë e madhe. Shoh futbollistë që nuk kanë dëshirë të vrapojnë. Nuk kanë dëshirë të kontribuojnë. Nuk kanë dëshirë të fitojnë duelet. Nuk kanë dëshirë të rriten nga ana profesionale. Nuk e di! Është një situatë jo e mirë. Sipas mendimit tim, duhet një shkundje totale e të gjithë ekipit.
