Sport

Ish-trajneri, Memushi: Garsia merr notën 4, Flamurtari ka nevojë për shkundje!

Eqerem Memushi mendon se Flamurtari kërkon një shkundje të fortë nga Sinan Idrizi. Ish-trajneri vlonjat që ishte në pankinën kuqezi deri në verën e vitit të kaluar mendon se fillimi nuk është i duhuri përkundrejt investimeve që janë realizuar.

Për “Panorama Sport”, Memushi shprehet se lojtarët duhet të flasin një gjuhë në fushë dhe dhomat e zhveshjes, ndërsa mendon se në të gjitha skuadrat e Superiores, futbollistët shqiptarë kanë më shumë grintë. Për komoditetin dhe pavarësinë që klubi i ka ofruar, Memushi i vendos notën 4 trajnerit Garsia nisur nga rezultatet e pesë javëve të para. I bënë thirrje spanjollit të ndryshojë strategjinë me Dinamon pasi përballë do të ketë një trajner si Ilir Daja që është ekspert i Superiores.

Memushi si e vlerëson këtë nisje të Flamurtarit?

Kënaqësia më e madhe u arrit dhe që ishte ngjitja në Superiore që ne të shikonim një Flamurtar më dinjitoz, më të fortë, me prezencë dhe personalitet ashtu sikundër e meriton. Fillimi nuk ka qenë i mirë. Penalizim ishte edhe kalendari por ky nuk është ndonjë justifikim sepse në fund fare në fushë luhet 11 me 11. Këto skuadra nuk e njohin fare fushën se ku luajnë. Duke parë edhe ecurinë e kampionatit si është ngjeshur, fillimi ka qenë jo i mirë për ne. Pretendimet kanë qenë shumë të mëdha qoftë nga publiku por edhe nga merkato që u bë gjatë verës me afrimin e shumë lojtarëve cilësorë. Mendoj se ata duan kohën e duhur si stafi ashtu edhe skuadra. Megjithatë nuk jemi edhe vonë. Duhet një shkundje, duhet një analizë e fortë. Ajo është një skuadër e superpaguar. Janë më të paguarit në Superiore. Ata që punojnë në atë klubi por edhe presidenti duhet që ta ngre zërin dhe t’i mbledhë.

Çfarë note do t’i vendosje trajnerit Garsia?

Nuk i vëmë dot një notë në këto pesë ndeshje. Por me këto kushte që i ka krijuar presidenca, ka një staf me katër ndihmës, ka një staf si ekipet europiane, nisur nga ecuria, në këtë anë i jap një notë 4. Nga ana teknike mbetet për t’u parë.