Sport

“Ishte i vrenjtur pasi nuk bënte sek* në shtëpi”, Antonio Konte i përgjigjet sulmit të ish-lojtarit të tij te Çelsi: Ka budallenj në futboll…

Ish-sulmuesi i Çelsit, Diego Kosta sulmoi disa ditë më parë ish-trajnerin e tij Antonio Konte, ku bashkëpunuan për dy sezone (2016/18) në Londër.

“Konte nuk u beson të tjerëve, ai mendon se di gjithçka dhe nuk të pëlqen të stërvitesh me të sepse është gjithmonë i zemëruar, gjithmonë i vrenjtur. Ai ndoshta nuk bën seks në shtëpi, është shumë i hidhëruar. Askush nuk e pëlqente dhe në fakt, nuk zgjati shumë. Fatkeqësisht për të, të vetmet tituj që fitoi te Çelsi ishin me mua. Megjithatë, i uroj më të mirën”, deklaroi Kosta.

Por trajneri italian nuk e ka lënë me kaq këtë deklaratë dhe në prag të ndeshjes së nesërme Napoli-Çelsi, ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp.

“Sinqerisht, nuk jam dikush që humb energji duke lexuar atë që thonë të tjerët. E di që ka njerëz inteligjentë dhe budallenj në futboll, dhe nuk e humb kohën duke lexuar as njërin as tjetrin. Mund të flas për futbollin. Diego Kosta luajti për mua për dy sezon, dhe së bashku fituam Premier Ligën. Pastaj ai donte të largohej, tre herë në të njëjtin sezon… Kjo është e gjitha që di. Pas Çelsit, nuk e di çfarë i ndodhi”, përfundoi Konte.