Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka deklaruar se seanca e fundit parlamentare, ku u betuan ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, ishte një veprim i paramenduar dhe i ndërtuar sipas një skenari të qartë politik nga Kryeministri Edi Rama.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, Kaso tha se mesazhet e para të Ramës në sallë, brenda tre minutave të hapjes së seancës, paralajmëruan zhvillimet që do pasonin.
Nga diskutimet brenda grupit të siguruara nga gazetari Osman Stafa, Ivi Kaso ka hedhur edhe idenë e nisjes së procedurave për shkarkimin e Presidentit, Bajram Begaj, pasi sipas tij ai është strumbullari i sencës së tensionuar.
Ivi Kaso: Mirë do ishte që të ndërthureshin një sër gjestesh, edhe gjeste politike siç është kërkesa për përsëritjen e seancës, siç është edhe mocioni i shkarkimit të Peleshit. Një ide tjetër mund të jetë edhe nisja e procedurës për shkarkim e Presidentit, pasi Rama duke përdorur atë ka prishur balancat e pushtetit. Strumbullari i seancës së sotme është Bajram Begaj, me dekretimin që i bëri Diellës, të cilën ia la nën përgjegjësi Ramës. Prandaj ne duhet t’i japim një mesazh atij se nuk do e tolerojmë më. Roli i Presidentit sot nuk është respektim i Kushtetutës, por zgjatim i Kryeministrit. Ta nisim procedurën për shkarkimin e Presidentit, siç e parashikon edhe Kushtetuta, dhe ne i kemi numrat prej 35 deputetësh.