Një seri sulmesh ajrore izraelite shkatërruan një xhami dhe kanë rrafshuar një treg në Libanin jugor.
Në qytetin jugor të Nabatieh, një sulm në një treg vrau disa njerëz. Ende nuk dihet numri i të vdekurve dhe të plagosurve nga zjarri i madh.
Grupi militant Hezbollah shënjestroi sërish qytetin Haifa në Izraelin verior duke lëshuar një breshëri raketash.
Mëngjesin e së dielës Hezbollahu hodhi rreth 300 raketa të cilat sipas ushtrisë izraelite u kapën nga mbrojtja ajrore. Izraeli lëshoi urdhra evakuimi për banorët e 23 fshatrave jugore të Libanit për t’u zhvendosur në veri.
Ndërkaq grupi militant është përleshur me forcat izraelite që përpiqeshin të depërtonin në fshatin Ramya në Libanin jugor, pasi një paqeruajtës i tretë i OKB-së u plagos. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kërkoi Kombeve të Bashkuara të evakuojnë trupat paqeruajtëse nga zonat luftarake në Liban.
“Ne nuk po luftojmë popullin libanez, por me Hezbollah. Unë dua t’i drejtohem Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së drejtpërdrejt nga këtu: Është koha që ta hiqni paqëruajtësit nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimit. Ushtria jonë e kërkoi vazhdimisht një gjë të tillë dhe u refuzua në mënyrë të përsëritur, me qëllim që t’u siguronte terroristëve të Hezbollahut një mburojë mbrojtëse.”
Franca thirri ambasadorin e Izraelit dhe lëshoi një deklaratë me Italinë dhe Spanjën duke i quajtur sulme të tilla “të pajustifikueshme”.
Ndërkaq 300 njerëz janë vrarë nga forcat izraelite ndërsa rrethimi ushtarak i Gazës veriore po hyn në ditën e nëntë me dhjetëra mijëra palestinezë të bllokuar nga pushtimi tokësor dhe sulmet me dron.