Tifogrupi besnik i Kombëtares shqiptare, “Tifozat Kuq e Zi” festojnë 21 vjetorin e themelimit. Ishte pikërisht fundviti i 2003-shit, kur të ashtuquajturët TKZ morën nismën për të bërë shqiptarët bashkë në një banderolë të vetme.
Ndërsa dje kanë festuar 21 vjetorin, në një nga qytetet më historike shqiptare. Ishte pikërisht Struga që mirëpriti besnikët e Kombëtares shqiptare. Një axhendë e ngjeshur e TKZ-së, të cilën zhvilluar edhe një ndeshje futbolli me ekipin e Strugës.
Por jo vetëm kaq. Tifozat Kuq e Zi vizituan edhe një bibliotekë shqiptare në Manastir, qytetin historik të alfabetit.
Njoftimi i Tifozave Kuq e Zi:
21 vjet në ruajtjen e traditës kombëtare!
Si çdo vit, grupi ynë u mblodh këtë fundjavë për të festuar përvjetorin e themelimit! Këtë herë, mikpritëse e festimeve ishte Struga, qyteti i shqiptarëve!
Festimet nisën me një vizitë në Manastir, qytetin e alfabetit. Atje na priti Emira Selimi së bashku me miqtë e saj. Ajo është nismëtarja e Bibliotekës Linkest, e para dhe e vetmja bibliotekë shqiptare e hapur në këtë qytet. Diskutuam për sfidat që has kjo nismë dhe u zotuam të ofrojmë mbështetjen tonë për të forcuar më tej këtë kauzë!
Më pas vazhduam tek Muzeu i Kongresit të Alfabetit, duke rikujtuar historinë dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje për kombin tonë. Në mbrëmje, të dy anët e Drinit të Zi u ngjyrosën kuq e zi duke krijuar një ngjarje të veçantë për qytetin.
Sot, aktivitetet kulmuan me një ndeshje miqësore midis ekipit të Tifozave Kuq e Zi dhe ekipit kampion të FC Struga Trim & Lum. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e qytetit. Në fund të ndeshjes, i ndamë çmimin “O sa mirë me qenë Shqiptar!” presidentit të ekipit z. Mendi Qyra, në shenjë mirënjohjeje për promovimin dhe fuqizimin e sportit shqiptar.
Tifozat Kuq e Zi
O sa mirë me qenë Shqiptar!