Një javë pas shpëtimit të saj nga stacioni i trenit në New York, Parashqevi Simaku po rifillon një jetë të re dhe të denjë, falë përpjekjeve të jashtëzakonshme të Elvira Tatës dhe biznesmenit Elton Ilirjani. Të dy u kthyen në figura kyçe që ndihmuan artisten e njohur shqiptare të largohej nga kushtet e vështira dhe të rikthehej me dinjitet, ashtu siç ajo meriton.
Megjithatë, përkundër mbështetjes së publikut të gjerë përmes një fushate në GoFundMe, Elton Ilirjani ka zbuluar se premtimet e disa biznesmenëve për të ndihmuar kanë mbetur bosh.
“Sot është një javë që nga momenti kur e gjetëm Parashqevinë në stacionin e trenit në New York. Deri tani, asnjë nga biznesmenët që u deklaruan se do ta ndihmonin nuk ka dhënë ndonjë ndihmë konkrete. Unë, Elvira dhe familjarët e saj nuk kemi marrë asnjë kontakt apo mbështetje nga ata,” tha Eltoni, duke shprehur zhgënjimin e tij.
Në këtë pikë, GoFundMe ka arritur të mbledhë $98 mijë dollarë, me ndihmën e rreth 1,400 kontribuesve që kanë dhënë shuma modeste, por jashtëzakonisht të çmuara. “Këto kontribute janë një dëshmi e dashurisë dhe respektit që njerëzit kanë për këtë këngëtare të madhe,” shtoi Eltoni.
Gjithsesi, ai vuri re mungesën e përfshirjes së biznesmenëve të fuqishëm: “Më vjen shumë keq, por nuk shoh asnjë biznesmen të ketë kontribuar. Nuk e kuptoj pse nuk duan të bëhen pjesë e rikthimit në jetë të një dive të tillë.”
Gjatë bisedës me Parashqevinë, ai ndau një moment të veçantë: “Parashqevia më tha: ‘Elton, mos u shqetëso, nuk ka rëndësi. Ne kemi një shtëpi dhe një vatër të ngrohtë.’ Pastaj shtoi: ‘Për mua ka vlerë një fjalë e urtë popullore: më mirë të kesh një mik sesa një çiflig.’” LLP
Rasti i Parashqevisë mbetet një shembull i fuqisë së solidaritetit, por edhe një reflektim mbi premtimet e pambajtura nga ata që kanë mundësi të bëjnë më shumë.