Kulturë

Jani Riza, aktori i madh që një aksident fatal na e mori para kohe

Nga Vangjush Saro – Teksa yjet e kinemasë shqiptare, të teatrit shqiptar, ikin një e nga një, kupton gjithnjë e më shumë sa boshllëk lënë ata në historinë dhe në artin e këtij vendi, që edhe pse me përmasa e mundësi modeste, i la kohës e gjeneratave një numër të madh veprash artistike dhe një pasuri të tërë emrash të nderuar, të paharruar. Ndër ta, vjen e shkëlqen me dritën e vet, ylli i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Jani Riza. Pjestar i një familjeje që do t’i jepte shumë skenës dhe ekranit, ai shkroi historinë e vet të paimitueshme. Për fat të keq, në një kohë të limituar nga fati.

Tashmë kinemaja shqiptare, teatri shqiptar, kanë humbur një pjesë të mirë të yjeve të veta. Kinemaja dhe teatri po kalojnë edhe ato njëlloj tranzicioni, si i gjithë vendi. Duket se yjet e asaj kohe, yjet e çdo kohe, ende ndriçojnë skenat dhe kafenetë, sallat dhe rrugët, parqet dhe biliotekat, gjithçka ku lëvizin njerëz, aktorë dhe spektatorë e ku diskutohet kaq shumë për artin. Ndër ata yje, edhe Jani Riza shkëlqen dhe do të shkëlqejë gjithnjë me buzëqeshjen e njeriut dhe artistit shpirtmadh, profesionist dhe krijues, që ende duket sikur njërin vështrim e ka te kamera dhe tjetrin te familja e vet.