Politikë

Javën tjetër, katharsis në kupolën e policisë: Ikën Ilir Proda?

Pas ndryshimeve në kabinet, kryeministri përgatit goditje në kupolën e Policisë së Shtetit mes frikës për rrjedhje informacioni drejt SPAK… Pas ristrukturimit të qeverisë, Edi Rama pritet të ndërhyjë edhe në drejtimin e Policisë së Shtetit. Sipas informacioneve, gjatë prezantimit të ministrit të ri të Brendshëm, Besfort Lamallari, kryeministri do të artikulojë kritika ndaj kupolës së policisë, me fokus te mungesa e lojalitetit. Në qendër të ndryshimeve do të jetë edhe drejtori i përgjithshëm Ilir Proda. Lëvizjet interpretohen si përpjekje për të konsoliduar kontrollin politik mbi strukturat e sigurisë, në një moment tensioni me SPAK dhe hetime të ndjeshme pranë mazhorancës.

Pas kirurgjisë së plotë që i bëri qeverisë së tij, Edi Rama, pritet që javën tjetër të kryejë edhe një operacion të fortë në një agjenci të rëndësishme të shtetit.

Menjëherë pas dekretimit të ministrave të rinj, betimit para presidentit, pritet një furtunë e dytë.

Edi Rama, ka planifikuar që të prezantojë personalisht ministrin e ri të Brendshëm Besfort Lamallari, e në atë mjedis pritet t’i lëshojë një dush të ftohtë kupolës së policisë së shtetit.

Fabulën, mësohet se e ka zgjedhur me dinakëri, që të akuzojë strukturën drejtuese se nuk është treguar luajale me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, duke e lënë vetëm dhe mos e përkrahur në punën e saj.

Gjuha e Edi Ramës do të jetë e ashpër, për të justifikuar një katharsis të vërtetë në kupolën e Policisë së Shtetit, në të cilën pritet një qilizëm i madh.

E para kokë që do të pritet është ajo e kryepolicit, Ilir Proda, i cili u vendos përpara zgjedhjeve të 11 majit, e sipas të gjitha gjasave e ka plotësuar mandatin që ka qenë në kokën e Edi Ramës.

I cili, pikërisht në momentin, kur një drejtues i lartë nis të formësojë hapësirën e vet të influencës në institucion, pret të gjitha rrënjët e vogla të fidanëve.

Ndërkohë, shkaku i vërtetë i ndryshimit qëndron diku tjetër, e ka të bëjë me paranojën e shtuar tek Edi Rama, për një bashkëpunim të mundshëm si logjistik, si shkëmbim informacioni, ndërmjet policisë dhe SPAK.

Edi Rama kërkon ta kthejë Policinë e Shtetit, në një gardë pretoriane, që në rast të ndonjë telashi të madh të tij, të dalë në front të hapur luftimi me armiqtë e kryeministrit.

Lufta në këtë rast nuk do të jetë aspak e ftohtë, por e ashpër, madje edhe ‘trup më trup’. Kur sulmoi hapur “trimoshët e BKH me patllake”, dërgoi pikërisht sinjalin që askush nuk duhet të mendojë të afrohet, pasi do të ketë përgjigjen direkte.

Drejtori i ri, pritet të emërohet një personazh i kësaj Garde Pretoriane, që detyrën primare dhe më të rëndësishme, të kontrollojë çdo informacion që kalon nga prokurorët dhe drejt prokurorëve.

Kjo jo vetëm për çështje të hetimeve që mund të nisin prokurorët specialë, por çfarëdo informacioni në territor, sidomos për çështjet e investimeve, trojeve, ndërtimeve, apo transaksioneve të ndryshme.

Aksioni i SPAK, shumë afër Partisë Socialiste, ndaj një kompanie call- centeri u krye në bashkëpunim me struktura të policisë, por që ministrja Koçiu nuk kishte dijeni për të. Kjo e ka xhindosur kryeministrin, i cili mësohet se i ka thënë se nuk e bën dot detyrën që i është caktuar. Që atë ditë ajo është shkarkuar realisht dhe Rama ka pritur ditën për të vepruar. Ndërkaq, nuk është se ai nuk është i informuar nga gjithçka ndodh në kupolën e policisë, përveç raporteve zyrtare.

Pasi Rama ka disa rrjete paralele dhe të kryqëzuara kontrolli mbi pushtetin, e këtë e ka treguar gjithë këto vite.

Por, tani i druhet një rrëshqitje toke në struktura të ndryshme të policisë me rrjedhje informacioni, apo me bashkëpunim me ndërkombëtarët. Në Shqipëri është kthyer në traditë gjithë këto 35 vjet që oficerë të ndryshëm policie janë një mjedis i lakmuar i agjencive dhe shërbimeve të ndryshme, duke përdorur aktivitete dhe festa për të afruar njerëzit që të marrin diçka nga brenda.

Pikërisht kjo pjesë, domethënë takimi i çdo oficeri të lartë me diplomatë apo kolegë të huaj pritet të ndalohet me urdhëra të veçantë. Një akt që sipas të gjitha gjasave ka për të qenë i padobishëm. Por si do të jetë do të rrisë presionin dhe paranojën.

Në një situatë të qetë Edi Rama nuk qeveris dot, ngaqë do të duhet të flasë mbi fakte e të japë llogari. Në një situatë të tensionuar e gjithmonë në udhëkryq, e para që qeveris është frika dhe propaganda fasadë./Pamfleti