Partia Mundësia organizoi një protestë përballë Kryeministrisë në mbështetje të drejtësisë, veçanërisht SPAK, që sot po sulmohet nga Berisha dhe Rama.
Kryetari i kësaj partie, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se SPAK po bën historinë e drejtësisë dhe se partia që ai drejton, është e vetmja që mbledh në manifestim, mijëra njerëz për të mbështetur drejtësinë.
“Jemi e vetmja forcë politike që mbledhim me mijëra qytetarë në mbrojtje të drejtësisë dhe të SPAK. Në një situatë ku janë të gjithë kundër SPAK. Ky është një qëndrim politik. Ne mendojmë se SPAK është nën kërcënim sot që flasim. Askush nuk është me ata. Ata po bëjnë historinë e drejtësisë”, deklaroi Shehaj.
Shehaj tha se SPAK nuk mund të rregullojë Shqipërinë dhe shqiptarët nuk duhet ta presin këtë nga ky institucion.
“Në lidhje me SPAK, nuk mund të presim ta rregullojë SPAK Shqipërinë. Ne presim të zgjidhë SPAK problemet e Shqipërisë. SPAK dhe drejtësia që po na habit, po bën atë që duhej bërë prej kohësh.
Ne do të kuptojmë që SPAK dhe drejtësia e ka seriozisht kur të fillojë përplasja, kur Rama ta sulmojë. Filloi përplasja. Kjo është shumë domethënëse. Plasi lufta. Kjo është gjëja më domethënëse. Kjo tregon që drejtësia po fillon të veprojë. E dyta, nuk do të thotë se SPAK do e rregullojë Shqipërinë. Mendoj se ne duhet të shohim çfarë thotë Rama, jo cfarë i thotë Veliajt, sepse nuk e ka më me Veliajn”, tha Shehaj.