Aktualitet

“Jemi marrë nëpër këmbë”, Binaj thirrje opozitarëve: Të merremi vesh, ose të mos qahemi kur të na marrin në qafë

Aktivisti dhe aktori Florjan Binaj ka mbajtur një fjalë gjatë tryezës së organizuar nga Partia Demokratike me pjesëmarrjen e partive të opozitës, shoqërisë civile dhe intelektualëve, duke theksuar nevojën për reflektim dhe bashkim mes faktorëve opozitarë.

Sipas Binajt, gjatë gjithë këtyre viteve është humbur kohë duke u fokusuar te dallimet dhe jo te ngjashmëritë mes aktorëve politikë dhe se nuk është bërë mjaftueshëm.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi harxhuar kohë duke parë nga njëri-tjetri jo ku ngjajmë, por ku dallojmë. Në këtë kohë që ka ardhur, mendoj se gjëja më e rëndësishme për të bërë është që për ta pranuar njëri-tjetrin ashti siç jemi, të ndryshëm dhe të mos presim nga njëri-tjetri që ‘unë do bashkëpunoj me ty po more ti formën time ose unë formën tënde e t të tjera.’”, theksoi ai.

Ai kritikoi përçarjet, fyerjet dhe konfliktet mes aktorëve politikë dhe shoqërorë, duke theksuar se pa marrëveshje dhe bashkëpunim nuk ka të drejtë ankese për pasojat.

“Jemi marrë mjaftueshëm nëpër këmbë, jemi sharë mjaftueshëm nëpër gojë, jemi marrë mjaftueshëm nëpërsysh, tani o duhet të merremi vesh, ose nuk duhet të qahemi pastaj nëse do na marrim më qaf.”, tha Binaj.

Në fund të fjalës së tij, ai falënderoi pjesëmarrësit dhe u largua nga tryeza, duke thënë: “Më falni që po iki, por më duhet të marr fëmijët nga shkolla.”