Drejtori sportiv i Elbasanit, Elton Guranjaku ka folur në prag të sfidës ku ekipi verdheblu do të përballet me Teutën. Guranjaku ka treguar planin e Elbasnait për merkaton, teksa shprehet se klubi ka ende si synim Final 4.
“Në fakt është merkato janari dhe është e vështirë me tregun vendas. Lojtarët e mirë nuk i lejojnë tani. Është pak vështirë tani. Por ne do të mundohemi të plotësojmë ekipin në ato pozicione që kemi nevoje, ato lojtarë që trajneri ka kërkuar. Jemi në bisedime me lojtarrë të tjerë dhe shpresoj që shpejt të jemi të kompletuar.
Normale që nga trajneri në trajner ndryshon. Me Bordin nuk kishim alternativë tjetër, vetëm 3-5-2, kurse me Gvozdenovic ndryshohet herë pas herë. Tani të shohim edhe pas merkatos. Dy lojtarët që janë në bisedime tani janë të repartit të sulmit. Është reparti që ne kemi më shumë nevojë për momentin.
Hera e parë që në një javë stërvitje nuk kemi patur dëmtime. Sot mungon vetëm Lajthia dhe kthehet javën që vjen. Grupi mund të quhet i plotë dhe kjo është një risi, ndryshim strategjie, janë gjëra që përmirësojnë.
Final 4? Normalisht që kemi shpresë, kampionati është i gjatë ne do ta synojmë final 4. Tabela nuk na favorizon, por nëse bëjmë si në javët e fundit do t’i marrim pikët për të shkuar deri në katërshe”, është shprehur Elton Guranjaku.