Aktualitet

Jetonte si “fantazmë” në Romë, si u arrestua vëllai bos i deputetes së PD-së dhe pse italianët e krahasojnë me “gjakatarin” më të rrezikshëm të mafias ndërkombëtare

Një operacion i policisë italiane në Romë çoi në arrestimin e 27-vjeçarit Markelian Hoti, vëllait të deputetes Elda Hoti, i cili sipas mediave italiane dyshohet si pjesë kyçe e një organizate ndërkombëtare të trafikut të kokainës.

Arrestimi i tij ka rikthyer vëmendjen te një hetim që nis në Belgjikë dhe shtrihet në disa shtete të Europës.

Sipas autoriteteve belge, Markelian Hoti dyshohet se ka luajtur rol kyç në një organizatë të specializuar në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Lënda narkotike mbërrinte në portin e Antëerp, një nga portet më të mëdha të kontinentit dhe shpesh i përdorur nga rrjetet kriminale për hyrjen e kokainës në tregun europian.

Hetimet intensifikohen pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehur në kontejnerë në Antëerp. Pas këtij operacioni, 27-vjeçari rezulton të jetë zhdukur. Në janar të këtij viti, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti europian për “komplot për trafik droge”, vepër penale që në Belgjikë parashikon deri në 15 vite burgim.


Markelian Hoti

Jeta “në hije” në Romë dhe arrestimi

Pas disa muajsh kërkime, gjurmët e tij çuan në Itali. Hetimi u finalizua nga Skuadra “Flying” e Policisë së Shtetit në Romë, e drejtuar nga Roberto Pititto. Hoti u lokalizua në një apartament B&B në rrugën Via Giovanni Cicali, në periferi lindore të kryeqytetit italian, ku qëndronte së bashku me të dashurën e tij.

Sipas mediave italiane, ai kishte arritur të jetonte si një “fantazmë”, pasi pronari i strukturës akomoduese nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në portalin policor “Alloggiati Ëeb”, sistem që përdoret për njoftimin e autoriteteve mbi identitetin e personave që akomodohen në struktura turistike. Ky mosregjistrim e kishte bërë praktikisht të padukshëm për kontrollin e zakonshëm policor.

Pasi u konfirmua identiteti i tij, oficerët e shoqëruan menjëherë në burg, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Belgjikës.

Krahasimi me “gjakatarin” Dave Turmel

Mediat italiane, duke theksuar mënyrën e fshehjes dhe profilin e tij në hetim, e kanë krahasuar Hotin me Dave Turmel, i njohur me nofkën “Pik”, një nga emrat më të kërkuar në Kanada.

Turmel, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si drejtues i organizatës kriminale “Blood Family Mafia” (BMF), u arrestua në mars të vitit të kaluar në zonën Tor Bella Monaca në Romë, pas një periudhe arratie ndërkombëtare. Ai ishte në kërkim për trafik droge dhe përfshirje në luftëra të dhunshme për kontroll territori në Quebec, ku sipas mediave lokale disa viktima ishin torturuar dhe gjymtuar. Arrestimi i tij u realizua pas një sinjalizimi nga Interpoli dhe ai aktualisht ndodhet në burgun e Regina Coeli, në pritje të ekstradimit.


Dave Turmel

Krahasimi mes dy rasteve lidhet pikërisht me faktin se të dy u gjetën të fshehur në struktura akomoduese në periferi të Romës, duke tentuar t’i shpëtonin kërkimit ndërkombëtar.

Çfarë pritet më tej

Me arrestimin në Itali, tashmë pritet që autoritetet gjyqësore të shqyrtojnë procedurat për ekstradimin e Markelian Hotit drejt Belgjikës, ku ai do të përballet me akuzat për përfshirje në trafik ndërkombëtar kokaine.

Arrestimi i tij ka bërë jehonë në mediat tona, kjo për shkak se është dhe vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hotit. Deri më tani nuk ka ardhur asnjë reagim nga deputetja, ndonëse prej orësh tanimë vëllai i tij është duke u përshkruar në rrjet si “koka” e një grupi kriminal që merret me trafikimin e kokainës.

Sakaq theksojmë se hetimet në Belgjikë janë duke vijuar me intesitet për të zbardhur më tej të gjithë zinxhirin e trafikut, nga Amerika e Jugut në portet europiane e deri te destinacionet finale të shpërndarjes.