Aktualitet

Jonida Shehu 3 milionë euro tendera, lidhja me Blerina Gjylametin e Ola Xamën, ortakëria e burrave, para publike dhe vilat te Gon Papuli në Dhërmi

Gazetarja dhe moderatorja Jonida Shehu i ka dhënë fund përkohësisht angazhimit të saj në televizion pasi është emëruar këshilltare për mediat e grupit parlamentar të PS. Emërimi i saj u prezantua këtë të hënë në mbledhjen e grupit të PS-së që u zhvillua në kryesinë e Kuvendit. Muajt e fundit, zonja Shehu kishte nisur të shfaqej si analiste anti-qeveri në televizionin e Familjes Berisha.

Teksa shante Edi Ramën nëpër tavolina deri një ditë para se të emërohej këshilltare për mediat e grupit parlamentar të PS, Jonida Shehu rezulton se ka futur duart prej vitesh në buxhetin e shtetit.

Përmes bashkëshortit, Aleksandër Çifligu, pronar dhe administrator i kompanisë Kuadr.com, moderatorja ka marrë mbi 3 milionë euro para publike nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.

Bashkëshorti i saj ka qenë ortak me burrin e gazetares Ola Xama, Ilir Pandeli, ndërsa administrator kanë caktuar burrin e Blerina Gjylametit, Kostika Gjylameti. Tre çiftet kanë lidhje shoqërore të ngushta me njëri-tjetrin dhe frekuentojnë vila në të njëjtin resort në jug të vendit. Tre çiftet posedojnë apartamente në zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe vila në bregdetin e jugut, pasuri me burim të dyshimtë të ardhurash.

Më konkretisht, Ola Xama, Blerina Gjylameti dhe Jonida Shehu bashkë me burrat frekuentojnë Olea Residence të oligakut Gon Papuli në Dhërmi. Sipas burimeve, Ola Xama ka përfituar një vilë te Gon Papuli në mënyrë tejet të dyshimtë. Vila te Olea Residence posedojnë edhe dy shoqet e saj Gjylameti dhe Shehu, përmes burrave dhe me para të dyshimta.

Fakte dhe rrethana

Në tetor të vitit 2017, bashkëshorti i moderatores Jonida Shehu, Aleksandër Çifligu, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli, Ilir Pandeli dhe Dritan Delija (më pas drejtor i Projekteve Strategjike pranë Bashkisë Tiranë) themelojnë kompaninë e reklamave dhe organizimit të eventeve Kuadr.com (L72216039R).

(Çiftet Çifligu-Shehu, Pandeli-Xama dhe Dritan Delija)

Kompania ka si adresë; Rruga Mustafa Matohiti, pallati 7, shkalla 2, kati 8, apartamenti 32. Adresa përkon me adresën e pallatit dhe katit në të cilin banon kreu i PD, Sali Berisha.

Si administrator të kompanisë caktojnë bashkëshortin e ish deputetes socialiste Blerina Gjylameti, Kostika Gjylameti. Në shkurt të vitit 2018, Kostika Gjylameti është larguar nga kompania, por ai vijoi të marrë para nga kompania Kuadr.com, të paktën deri në vitin 2022.

Pagesat konfirmohen nga deklarata e pasurisë së ish deputetes Gjylameti të vitit 2022, ku Kostika deklaron të ardhura nga kompania Kuadr.com, e cila përfitonte para publike nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria Rama.

Në mars të vitit 2019, Aleksandër Çifligu i blen aksionet Dritan Deliajt për 20 mijë lekë. Ka dyshime se Deliaj mund t’i ketë shitur aksionet fiktivisht, pasi më pas shfaqet në poste të rëndësishme publike në degë të qeverisë dhe më pas në degë të Bashkisë së Tiranës.

Deri në shkurt të vitit 2019, shumicën e aksioneve në kompaninë Kuadr.com i kishte Ilir Pandeli, bashkëshorti i gazetares Ola Xama allias Basjola Pandeli.

Kompania përfitonte para publike nga pushteti qendror dhe lokal. Paratë shkonin në xhepat e bashkëshortëve të gazetares Ola Xama, gazetares Jonida Shehu dhe ish deputetes Blerina Gjylameti, e cila disa ditë më parë është emëruar në krye të AKU.

Ndërkaq, në 9 shkurt të 2019, Ilir Pandeli ia shet aksionet ortakut Aleksandër Çifligu për 75 mijë lekë. (Bashkëshorti i Ola Xamës do të gjente rrugë të tjera për të përfituar para publike).

Që nga shkurti i vitit 2019, bashkëshorti i moderatores Jonida Shehu, Aleksandër Çifligu rezulton administrator dhe pronar i vetëm i kompanisë Kuadr.com. Nga viti 2019, kompania ka përfituar mbi 3 milionë euro publike përmes tenderave nga Bashkia Tiranë dhe degë të qeverisë së Edi Ramës.

Pagesat e fundit, kompania e bashkëshortit të Jonida Shehut rezulton se i ka marrë nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës. Tashmë, moderatorja, krahas futjes së dorës në buxhetin e shtetit, do të këshillojë edhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste./Prapaskena