Nga Julia Vrapi
Shekspiri kthehet në Metropol. Teatri hapi dyert në muajin dhjetor 2025 për tragjedinë “Hamlet”, vepër e Shekspirit, por dhe këtë janar e rikthen në skenë. “Hamlet” nga William Shakespeare do të jetë në skenë edhe si vepra e parë teatrore për të rritur këtë sezon teatror që nis. Kjo do të jetë një ngjarje e veçantë për skenën e këtij teatri, duke e bërë veprën e Shekspirit të parën e sezonit teatror 2026. Me regji nga Jonida Beqo drama vjen më 15 janar 2026, në një formë krejtësisht të veçantë, moderne dhe me të papritura. “Hamlet” nga Shekspiri, e njohur për thellësinë e saj emocionale dhe filozofike, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të reflektuar mbi temat universale të jetës, vdekjes, hakmarrjes dhe moralitetit.
Ndërsa me talentin e aktorëve dhe regjinë e Jonida Beqos, kjo shfaqje pritet të sjellë një interpretim të fuqishëm të kësaj drame të pavdekshme të Shekspirit. Tragjedia e Hamletit, Princit të Danimarkës, shpesh njohur si thjesht Hamleti, është një tragjedi e shkruar nga William Shakespeare në mes viteve 1599 dhe 1601. Interpretojnë në role aktorët Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj, Urim Aliaj, Xhino Musollari, Amri Hasanlliu, Ketjona Pecnikaj, Marius Dhrami, Edvin Mustafa, Jurgen Dervishi, Besmir Sula, Mario Bali, Adela Gjyla, Megi Duka, Silva Brahimataj, Deljana Topulli, Elion Guri.
“Hamlet” në skenë
“Hamlet” një prej veprave më të njohura dhe më të komplekse të William Shakespeare-it, shënoi premierën në Teatrin Metropol më 4 dhjetor të vitit të kaluar, dhe tani rikthehet në skenë këtë janar, duke ofruar një mundësi të re për publikun. Kjo shfaqje do të jetë një udhëtim emocionues në historinë e princit të Danimarkës, i cili përballet me tradhti, hakmarrje, dhe pasione që e ndjekin përgjatë gjithë jetës së tij. Interpretimi modern, mund të ofrojë një përvojë të thellë dhe dramatike, e cila ruan thelbin e veprës origjinale, duke e afruar atë më afër ndjenjave dhe shqetësimeve të publikut bashkëkohor.
Shfaqja “Hamlet” është gjithashtu një mundësi për t’u përfshirë në një nga veprat më të fuqishme dhe të njohura të letërsisë botërore. Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558 – 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Një nga arsyet pse veprat e Shekspirit vazhdojnë të kenë një ndikim të madh është përdorimi i tij i pasur i gjuhës dhe thellësia e karaktereve që ai krijoi. Dramën dhe poezinë e Shekspirit e studiojnë njerëz në të gjithë botën dhe shfaqjet e tij vazhdojnë të realizohen me interpretime të reja dhe moderne.